E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmoi derën e Presidencës,mbyllet në psikiatri autori

• Mevlan Fejzaj, 51-vjeçari nga Patosi që përplasi portën e Presidencës dy ditë më parë, u mbyll dje në psikiatri.

Fatos Mahmutaj

 Burime të policisë së kryeqytetit pohuan dje se, pas marrjes në pyetje në komisariatin numër dy, Fejzaj rezultoi të kishte probleme mendore, shkak për ta dërguar atë në spitalin psikiatrik. Ngjarja e rëndë që alarmoi rojet e institucionit të kreut të shtetit ndodhi mesditën e së dielës. Rreth orës 11:30 kur salla operative e policisë së kryeqytetit mori një telefonatë nga Garda e Republikës, ku i është kërkuar të shoqërojnë një person që kishte hyrë forcërisht në Presidencë, madje duke përplasur edhe portën numër dy të hyrjes në këtë institucion. Policia pohoi dje se pak minuta para se të hynte forcërisht në Presidencë Fejzaj, ka komunikuar me ushtarët e Gardës që kryenin shërbim aty, të cilëve u kishte thënë: “I thoni presidentit të më japë pak atë dosjen time”. Kjo kërkesë ka habitur gardistët, ndërkohë, Fejzaj ka kthyer me shpejtësi makinën e tij, tip “Benz 200” me targë FR.5462.C, drejt portës numër dy të institucionit. Si pasojë e shpejtësisë që kishte marrë mjeti ato momente ka hyrë pas thyerjes së portës deri në ambientet e jashtme të oborrit të Presidencës. Aty, ka ndaluar si pasojë e ndërhyrjes së menjëhershme të gardistëve, të cilët pas kësaj kanë njoftuar policinë për ta shoqëruar. Ndërkohë patrulla të policisë përforcuan gardën në ruajtjen e ambienteve të jashtme të Presidencës. Ndërsa në polici një grup hetimor i ngritur enkas për këtë ngjarje mori në pyetje 51-vjeçarin. E njëjta gjë u bë edhe me të afërm dhe familjarë të tij, të cilët kanë pohuar se Fejzaj prej disa vitesh vuante nga çrregullime mendore. Sipas tyre, 51-vjeçari Fejzaj, banor i qytetit të Patosit ka tre fëmijë dhe jeton në gjendje ekonomike jo të vështirë. Prej shumë vitesh ai punon si naftëtar në zonën e Marinzës. Të afërmit e tij pohuan dje se, ai ka rreth katër vjet që vuan nga një gjendje e rëndë depresioni, e cila i shkakton shpërthime të herëpashershme dhe në Tiranë ndodhej për të bërë një vizitë mjekësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›