E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Pakicat janë ura lidhëse me shtetet fqinje

Prishtinë- Komunitetet pakicë janë begati e Kosovës dhe shërbejnë si ura lidhëse e bashkëpunimi me shtetet fqinje në rajon, tha presidenti Fatmir Sejdiu në takim me banorët boshnjakë të fshatrave të Luginës së Lumëbardhit të komunës së Prizrenit.

"Ju jeni Kosovë, sikur çdo pjesë tjetër e saj. Jeni pjesë e lirisë së saj dhe e ndërtimit të saj. Prania e komuniteteve etnike është begati e Kosovës", tha ai.

"Atdheu i boshnjakëve që jetojnë në Kosovë është Kosova. Ky komunitet është një urë e mirë e bashkëpunimit me Bosnjën-Hercegovinën, siç janë edhe komunitetet tjera urë lidhëse e bashkëpunimit me shtetet tjera fqinje", tha Sejdiu.

Duke folur lidhur me marrëdhëniet me shtetet fqinje, presidenti Sejdiu theksoi nevojën e bisedimeve me të gjithë dhe për të gjitha problemet, përfshirë edhe Serbinë.

"Ne do të kemi nevojë të bisedojmë me Serbinë, por gjithmonë në tema që janë në interes të dy vendeve, dy shteteve sovrane. Por, nuk do të bisedojmë asnjëherë për çështjen e statusit", theksoi Sejdiu.

Ndërsa, “serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës dhe të barabartë me të gjithë”, shtoi ai.
Presidenti Sejdiu ka vizituar dje pasdite fshatrat Lubinjë e Poshtme dhe Reçan, ku është pritur nga qindra banorë boshnjakë, i shoqëruar nga udhëheqësi i koalicionit “Vakat”, Xhezair Murat, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe përfaqësues të tjerë politikë të këtij komuniteti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›