Sejdiu: Serbia të pranojë realitetin e ri
Mynih - Kosova është vend i pavarur dhe Serbia tashmë duhet ta pranojë këtë realitet. Kështu është shprehur presidenti kosovar Fatmir Sejdi në një intervistë të dhënë për të përdidtshmen gjermane "Zydojçe cajtung". Presidentit Sejdiu ka nënvizuar se pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin, duke shprehur bindjen se shteti i Kosovës do të njihet edhe nga vendet e tjera të botës dhe ato pesë shtetet e mbetura të BE. Ai ka vënë në dukje se me rëndësishme është që qytetarët e Kosovës më 17 shkurt përfundimisht e fituan lirinë e tyre. Ndërkaq në lidhje me veriun e Kosovës, Sejdiu tha se pret nga misioni i BE-së, që do të jetë aktiv edhe në veri të vendit, një qasje energjike kundër liderëve ekstremistë serbë. "Ata janë dorë e zgjatur e shërbimit sekret të Beogradit, që përfiton nga kontrabanda e të gjitha mallrave të mundshme. Për këtë kemi prova. Stabiliteti politik dhe institucionet që funksiojnë nuk janë në interesin e tyre", është shprehur Presidenti Sejdiu.