E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Sot ditë historike për TMK-në

Prishtinë -Presidenti i Republikë së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu ka marrë pjesë sot në ceremoninë e deaktivizimit të Forcave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) dhe nisjes së etapës së të transformimit nga TMK në Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK). Pas parakalimit para Gardës së TMK-së, i shoqëruar nga komandanti i TMK-së, gjenerallejtënant Sulejman Selimi, Presidenti Sejdiu ka çmuar lart punën e pjesëtarëve të TMK-së, duke theksuar se edhe ata që do të jenë pjesë e FSK-ë edhe ata që nuk do jenë pjesë e FSK-së, do të jenë prapë në misione të rëndësishme për Kosovën.

“Sot është një ditë e emocioneve, por edhe një ditë historike, të cilën e kemi pritur bashkë dhe është nga ditët e rëndësishme të rritës dhe të zhvillimit të Kosovës. Kemi përfundimin e një misioni në mënyrën më të shkëlqyeshme të mundshme dhe fillimin e një misioni të ri që starton nesër, atë të FSK-së, që do të jetë mburojë e vendit, bashkë me miqtë tanë sikurse që ju ishit mburojë e rëndësishme në këtë periudhë të zhvillimeve tona”, theksoi Presidenti Sejdiu.

“Dua të çmoj lart punën që keni bërë. Të dalë nga një luftë e imponuar, nga shkatërrime të mëdha, nga pasojat e shumta që kanë qenë në nivel të traumës për shumë qytetarë të Kosovës, ju keni qenë partner i rëndësishëm në të gjitha bashkëpunimet e mundshme me institucionet e Kosovës, për të kapërcyer më shpejt gjithë atë që kishte qenë mësymje për përmbysjen tonë”, tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ka çmuar, pos angazhimit të pjesëtarëve, edhe punën e udhëheqjes së TMK-së, në misionin e saj. Në bazë të kompetencave të tij si President i vendit, Presidenti Sejdiu i ka dhënë komandantit të TMK-së, Gjenerallejtënant Sulejman Selimit Medaljen e Artë Ushtarake, në shërbim të paqes dhe lirisë, për kontributin e dhënë sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë gjatë mandatit të tij në cilësinë e komandantit të TMK-së.

“Do të jemi bashkë me NATO-n, tash si partnerë, nesër si anëtarë të barabartë në partneritetin e përgjithshëm në luftë për paqe dhe liri”, ka përfunduar fjalën e tij në këtë ceremoni Presidenti Fatmir Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›