E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Strukturat paralele duhet të shuhen menjëherë

Presidenti Sejdiu shprehu shqetësimet e tij, në veçanti për veprimet e fundit të Serbisë që paraqesin investim të drejtpërdrejtë në strukturat paralele dhe në aktivitetet e tyre ilegale. Duke kundërshtuar vendimin e fundit të Serbisë për emërimin e gjyqtarëve për të punuar në gjykatat paralele në Kosovë, Presidenti Sejdiu theksoi se Republika e Kosovës ka një sistem të vetëm dhe unik gjyqësor dhe çfarëdo tentimi për ta cenuar atë është absolutisht i papranueshëm dhe kundërligjor. Sejdiu kërkoi mbështetje nga EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare që të ndërmerren masa urgjente për shuarjen e strukturave paralele dhe parandalimin e veprimeve të tjera destruktive të Beogradit. Po ashtu, ai kërkoi që të vazhdohet përkrahja e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. “Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e plotë të Paketës së Ahtisarit, që përfshin edhe shuarjen e menjëhershme të strukturave paralele. Është obligim i të gjitha institucioneve të Kosovës që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura për ta realizuar këtë obligim”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai çmoi bashkëpunimin me EULEX-in duke shprehur gatishmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›