E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Të mos respektohen fletë-arrestet serbe

Udhëheqësit në Prishtinë u bënë thirrje të gjitha shteteve që të ndërpresin arrestimet e qytetarëve të Kosovës mbi bazat e fletë-arresteve të Serbisë. Komentet pasojnë vendimin e prokurorisë serbe për krime lufte për të shpërndarë 160 fletë-arrestime për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si të dyshuar për krime ndaj popullsisë serbe.Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u bëri thirrje dy organizatave ndërkombëtare të policisë, Interpolit dhe Eurpolit që të mos respektojnë kërkesat e Serbisë për arrestimin e qytetarëve të Kosovës. "Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme do të kenë komunikimet më të mira me vendet veç e veç dhe natyrisht është edhe borxh i Interpol-it dhe Europol-it që të heqin nga sirtarët e tyre kërkesat çmendurake të Serbisë për ndjekje të qytetarëve të Kosovës", tha ai.
Presidenti i Kosovës tha se institucionet e vendit do t'u bëjnë kërkesë edhe shteteve veç e veç që të shpërfillin kërkesat e Serbisë për ndjekjen e qytetarëve të Kosovës.
Muajin e kaluar, policia bullgare arrestoi ish-kryeministrin Agim Çeku, në bazë të një fletë-arresti lëshuar nga Beogradi për "krime lufte" kundër serbëve në fund të viteve 1990, kur Çeku ishte drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një incident të ngjashëm me atë të ish-kryeministrit Çeku pati edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili qe ndaluar për disa orë në Hungari ndërkohë që ishte kryetar i opozitës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›