E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: UMNIK-u të përmbyllë misionin

"Misioni i OKB-së nuk mund të përfaqësojë më Kosovën dhe ai duhet të përmbyllë prezencën në terren". Kështu është shprehur Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Kreu i shtetit kosovar ka thënë për të përditshmen "Koha Ditore" se nuk ngurron që në ditët e ardhshme të takojë shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier, për të shfaqur të njëjtin qëndrim edhe përpara tij. "Unë mund ta takoj, nuk ka asnjë lloj problemi që ta takoj. E kam takuar edhe më herët, por do t'ia them këtë qëndrim se nuk është qëndrim oportun vetëm për të larë gojën, siç thotë populli, dhe ky qëndrim është shumë i qartë: UNMIK-u do të përmbyllë misionin e vet në Kosovë. UNMIK-u nuk përfaqëson më Kosovën", ka deklaruar Sejdiu. Sipas tij, institucionet kosovare janë të vetëdijshme për arsyen e prezantimit të kërkesës për fundin e mandatit të UNMIK-ut, meqë roli i këtij misioni është tejkaluar nga zhvillimet në terren. "Gjithmonë e kemi thënë se nuk e kemi armik. As Zannier nuk është armik i Kosovës, por është një përfaqësues i një misioni në mbyllje", është shprehur Sejdiu. Presidenti kosovar Sejdiu ka përsëritur pohimet se UNMIK-u ka bërë punë të mira, por ka rikujtuar se Kosova tashmë është shtet sovran i njohur nga 57 vende të botës, ndërkohë që pret edhe njohje të reja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›