E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu dekoron Mesiç me "Medaljen e Artë të Pavarësisë"

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka dekoruar sot presidentin e Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiç me "Medaljen e Artë të Pavarësisë", në një ceremoni organizuar në kabinetin e presidentit Sejdiu. Kjo dekoratë u jepet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të huaj, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke dorëzuar dekoratën, presidenti Sejdiu theksoi se presidenti Mesiç ka qenë gjithmonë përkrahës i synimeve legjitime të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. "Presidenti Mesiç e ka përkrahur Kosovën fuqishëm në të gjitha institucionet dhe forumet ndërkombëtare, në të cilat është folur për vendin tone", tha Sejdiu. Kroacia e ka njohur pavarësinë e Kosovës ndërsa gjithashtu diplomacia kroate në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Kroacia mbrojti fuqishëm legjimitetin e pavarësisë së këtij vendi. Ndërsa presidenti i Republikës së Kroacisë, Mesiç, në një fjalim të shkurtër, theksoi ndihmën dhe përkrahjen në vazhdimësi të tij dhe të Kroacisë për Republikën e Kosovës, duke dhënë kështu një kontribut të çmueshëm për stabilitetin e gjithë rajonit. Mesiç gjithashtu do të marrë pjesë edhe në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq do të shpallet edhe "Qytetar Nderi i Prishtinës". Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai gjithashtu do të vizitojë paqeruajtësit kroatë në përbërje të KFOR-it dhe do të vizitojë Janjevën, një qytezë 20 km në jug të Prishtinës, të banuar me popullatë kroate.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›