Sejdiu dhe Thaçi firmosin sot zyrtarisht pranimin e Kosovës në FMN e BB

Uashington, 29 qershor, NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi do të nënshkruajnë sot në Uashington dokumentet e pranimit të vendit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Ceremonia do të zhvillohet në Departamentin
amerikan të Shtetit dhe kopje të marrëveshjeve do ti dorëzohen nënsekretarit
të Shtetit James Steinberg. Përpara nënshkrimit, Sejdiu dhe Thaçi do të kenë
një takim me Steinbergun.
Ceremonia e sotme shënon pranimin zyrtar të Kosovës në dy institucionet e
rëndësishme financiare. Fondi Monetar e miratoi anëtarësimin në fillim të
muajit maj ndërsa Banka Botërore në fillim të këtij muaji.
Kosova do të ketë të drejtën për të marrë kredi miliona dollarëshe të
mbështetura nga këto dy institucione si dhe ekspertizë për zhvillimin e
ekonomisë, të infrastrukturës dhe shoqërisë.
Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi e kanë quajtur pranimin e Prishtinës
në këto institucione ndërkombëtare një sukses dhe zhvillim historik që përmirëson
imazhin e Kosovës në botë.
Po sot, udhëheqësit e Kosovës do të takohen me drejtorin menaxhues të Fondit
Monetar Ndërkombëtar, Dominik Straus-Khan dhe me presidentin e Bankës Botërore
Robert Zellik.
Në delegacion marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni
dhe ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala.
n.e/NOA