E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu dhe Thaçi nisin vizitë zyrtare në Britaninë Madhe

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri Hashim Thaçi, deri më 21 nëntor, do të vizitojnë Britaninë e Madhe, me ftesë të qeverisë britanike. Sipas një njoftimi të Ambasadës Britanike në Prishtinë, gjatë vizitës Sejdiu dhe Thaçi do të takohen me Kryeministrin britanik Gordon Braun dhe me shefin e diplomacisë Dejvid Miliband. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu do të mbajë një ligjëratë në "London School of Economics" për rolin thelbësor që Kosova mund të luajë për paqen dhe sigurinë në rajon. Kjo vizitë përforcon mbështetjen e Britanisë së Madhe për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane. Ndërkaq, Asambleja Parlamentare e NATO-s, që zhvilloi punimet në Valencia të Spanjës, me anë të një rezolute ka kërkuar nga vendet anëtare të Aleancës që, nëpërmjet pranisë ushtarake dhe civile, të mbeten të angazhuara në sigurimin e paqes në Kosovë. Bëhet thirrje po ashtu për koordinimin dhe bashkëpunimin efikas ndërmjet të gjitha institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, me fokus të veçantë tek EULEX-i. Rezoluta kërkon për arritjen e një marrëveshjeje teknike midis KFOR-it dhe misionit të BE-së për ndarjen e përgjegjësive. "Kërkojmë shtrirjen e plotë të EULEX-it në të gjithë Kosovën dhe plotësimin e burimeve të misionit për përforcimin e sundimit të ligjit në vend", thuhet mes tjerash në rezolutë. Ndërkohë, sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Havier Solana, do të takohet të premten në Nju Jork me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.

Në takim, pritet të bisedohet lidhur me përpjekjet që misioni EULEX të vendoset në Kosovë, duke pasur parasysh vendimin e KB-së për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Shefi i EULEX-it, Ives de Kermabon, konfirmoi nisjen e misionit më të madh evropian në Kosovë, në fillim të muajit dhjetor. Këtë e ka bërë të ditur kryesuesi i komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Giampaolo di Paola. Ai ka thënë se Kermabon iu është drejtuar shefave të shtatmadhorive të vendeve anëtare të NATO-s nëpërmjet të videolinkut nga Kosova, duke precizuar se pavarësisht komplikimeve politike, përgatitjet për nisjen e EULEX-it shkojnë mirë dhe çdo gjë do jetë e gatshme për muajin e ardhshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›