E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët, të përçarë për qëndrimin mbi misionin e EULEX-it

Në mesin e serbëve vazhdon të ketë kundërthënie mbi vendosjen e EULEX-it. Derisa disa zyrtarë të qeverisë serbe pranojnë shtrirjen e EULEX-it, duke marrë për bazë gjashtë pikat e Ban Ki Munit, disa serbë të Kosovës nuk e duan fare praninë e misionit evropian. Qeveria serbe me të cilën OKB-ja negocioi planin gjashtëpikësh për rikonfigurimin e pranisë civile në Kosovë, nuk ka qëndrime të njëjta për këtë prani me disa përfaqësues të serbëve të Kosovës. Derisa Beogradi zyrtar do ta pranonte misionin evropian, nëse ky mision merr për bazë planin e Ban Ki Munit, përfaqësues serbë të Kosovës këmbëngulin në mbetjen e UNMIK-ut të pandryshuar. Oliver Ivanoviç është sekretar shtetëror i Ministrisë për Kosovën në qeverinë e Serbisë. "Në parim nuk jemi kundër misionit të BE-së, sepse do të kemi më shumë rend e ligj, edhe në mjediset ku jetojnë serbët, do të thotë serbët do të ndjehen të sigurt, por ky mision do të pranohet vetëm nëse merr pajtimin dhe dritën e gjelbër nga Beogradi". "Plani gjashtëpikësh është letra fillestare e Ban Ki Munit drejtuar Presidentit Tadiç dhe zotit Sejdiu. Aty përfshihen temat që do të përmirësonin jetën e përditshme të qytetarëve", thotë Oliver Ivanoviç. Por, disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, tashmë kanë ndërmarrë iniciativë për të hedhur poshtë praninë e EULEX-it në mjediset serbe, pa marrë parasysh se mbi çfarë baze do të vendosej ky mision. Kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviç, ka thënë se vendosja dhe shtrirja e EULEX-it në mjediset serbe do të kundërshtohet me peticionin, që, sipas tij, tashmë e kanë nënshkruar dhjetëra mijëra persona. "Ne, qëndrimin refuzues e kemi dhënë duke nënshkruar peticionin kundër EULEX-it, kundër planit të Ahtisarit, kundër pavarësisë së Kosovës dhe 71 mijë serbë dhe joshqiptarë e kanë nënshkruar atë. "EULEX-i nuk mund të implementohet në mjediset ku jetojnë serbët; natyrisht që do të kundërshtojmë vendosjen e këtij misioni me mjete paqësore", tha Ivanoviç, për të shtuar se EULEX-i nuk mund të ketë përparësi ndaj UNMIK-ut, meqë ky i fundit bazohet në vendimet relevante të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra në Rezolutën 1244.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›