E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu mesazh Medvedevit: Rrota e historisë nuk kthehet

PRISHTINE- Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu i kundërpërgjigjet presidentit rus Dimitri Medvedev mbi qëndrimin e tij ndaj Kosovës.

“Rrota e historisë as nuk mund të ndalet dhe as nuk mund të kthehet, Kosova është e pavarur mbi argumente të fuqishme, në radhë të parë mbi vullnetin e popullit të saj, të zhvillimeve të mëhershme, të cilësisë që ka patur dhe në kuadër të të gjitha proceseve të tjera që kanë ndodhur, prej intervenimit e deri tek ndërtimi i institucioneve të proceseve demokratike, në proceset e bisedimeve, prandaj jemi ku jemi dhe Kosova është e pavarur”, theksoi presidenti Sejdiu.

Pas takimit me ambasadoren e re Finlandës, në Kosovë, Tarja Lajtianen, kreu i shtetit kosovar bëri këto deklarata si dhe paralajmëroi njohje të reja ndërsa vlerësoi lartë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë.Reagimi vjen një ditë pasi presidenti rus Dimitri Medvedev i cili ndodhej për vizitë në Beograd deklaroi se njohja e pavarësisë ishte e papranueshme dhe se Rusia do të vazhdonte të mbështeste Serbinë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.

Kreu i shtetit kosovar paralajmëroi njohje të reja, ndërsa vlerësoi se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë është një mesazh paralel për hapjen e mundësive të bashkëpunimit me Serbinë.

“Kosova dje ka përfunduar procesin e vendimit të themelimit të ambasadës së saj në Republikën e Maqedonisë që është një shenjë e mirë e bashkëpunimit të mirë në mes dy vendeve dhe bashkëpunimet e shkëlqyeshme me vendet e tjera të rajonit. Unë them se është një mesazh paralel i ndjenjës sonë për Serbinë, që nesër të hapen mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe të komunikimit të lirë të qytetarëve, e të hapen mundësit e eksportit reciprok dhe jo të vazhdohet me pjesën e shtrëngesave”, ka thënë Sejdiu.

Ambasadorja e re Finlandës, në Kosovë, Tarja Lajtianen i dorëzoi sot presidentit Sejdiu letrat kredenciale dhe ofroi mbështetjen e vendit të saj për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

" Ne jemi këtu për ta mbështetur perspektivën evropiane për Kosovën edhe ne të ardhmen. Dhe është e qartë që Kosova ka të ardhme evropiane dhe kjo është parë edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian", ka deklaruar ambasadorja Tarja Lajtianenpas përfundimit të takimit në Prishtinë.
(s.g/rtk/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›