“Kompensimi fizik nis brenda 3 muajve të parë të 2009”
BLEDAR HOTI
Shpërndarja e fondit prej 500 milionë lekësh do të ndahet mbi bazën e hartës aktuale të vlerës së pronave. Nëndrejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genci Çelo në një intervistë për "Panorama" deklaron, se përderisa qeveria nuk ka dhënë vendim për ndryshimin e hartës të vlerës, kompensimi ish-pronarëve do të realizohet me çmimet aktuale të pronave. Çelo deklaron se për shpërndarjen e fondeve do të zbatohet e njëjta skemë, që u përdor dhe vitin e kaluar.
Sapo ka nisur procesi i kompensimit financiar, ç'masa ka marrë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave?
Natyrisht procesi po vazhdon normalisht, njerëzisht kanë nisur me fluks këto dy ditët e para e më pas duke kaluar ditët bie ai fluks. Megjithatë, jemi munduar që të presim të gjithë. Kemi vendosur një farë rregulli, duke shpërndarë numra për personat që të mos presim gjatë gjithë kohës derisa t'i vijë radha, ndërkohë do të shohim sa të mund të jetë mundësia për të pritur brenda ditës. Kemi ngritur një grup pune, nëse nuk e përballojmë do të ngremë dhe grupe të tjera pune.
Si do të jetë mënyra e shpërndarjes së fondit prej 500 milionë lekësh?
E njëjta procedurë që është zbatuar dhe vitin e kaluar. Do të ndiqet kronologjia e vendimit. Ai subjekt i shpronësuar, që e ka më të hershëm vendimin, ka përparësi ndaj atij që e ka më të mëvonshëm.
Po përsa i përket çështjes së vlerës së tokës. Me çfarë çmimesh do kompensohen ish-pronarët?
Përderisa nuk ka ndonjë vendim të qeverisë për një hartë tjetër, do të zbatojmë këtë hartë që është në fuqi. Pra ne do t'i referohemi kësaj harte që është miratuar.
A ka ndonjë qëndrim nga qeveria për rishikimin e shpejtë të hartës? Kur do të përfundojë rishikimi i hartës?
Përveç disa deklaratave që janë bërë duke filluar te njerëzit e thjeshtë, e deri te ata që i janë prishur interesat e tyre. Kryeministri muaj më parë ka deklaruar diçka për rishikimin e hartës. Por jemi duke verifikuar, natyrisht është proces që vazhdon. Pasi në çdo vit ndryshon tregu, ndryshojnë përparësitë e zhvillimit të zonave dhe natyrisht dhe harta e vlerës do të reflektojë këto ndryshime.
Domethënë, qeveria nuk ka ndonjë qëndrim të prerë për këtë çështje?
Deri tashti ka një miratim të hartës aktuale të vlerës, përderisa nuk ka ndonjë vendim. Derisa sa të ketë një miratim të dytë, ne po punojmë me të gjithë qarqet, që të rishikojmë hartën e vlerës meqë e kemi hartën në shkalle republike dhe natyrisht mund të bëhen edhe krahasime ndërmjet zonave të ndryshme nga territori, për të parë nëse ka shmangie nga normaliteti. Jemi mundur së bashku me zyrat që kanë ndryshuar të dhënat të rregullojmë ato anomali, që mund të jenë në këto raporte. Por nuk do të thotë se ka një përmbysje të hartës së vlerës.
Çfarë strategjie do të ketë në lidhje me shpërndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh. Do të kenë përparësi rrethet e tjera përveç Tiranës, apo..?
Jo deri tani nuk ka ndonjë strategji se si do të procedohet më tej. Nëse nisemi nga ato qarqe që kanë kërkesa më të mëdha, ose që kanë regjistrime më të mëdha të numrit të vendimeve për kompensim, natyrisht mund të jetë një tablo, ose një mënyrë mbi bazën e saj. Nga ana tjetër do të shikojmë si do të jenë edhe paraqitjet e kërkesave. Mbi bazën e saj në fund do të dalë shpërndarja, duhet futur rendi kronologjik të futur të gjithë së bashku apo do të ndahen në pjesë të ndryshme. Natyrisht, do të kërkohet një miratim nga Këshilli i Ministrave për ndarjen e fondit.
Domethënë do të kenë një vendim tjetër?
Në qoftë se do të dalë e nevojshme, po. Vjet s'ka qenë e nevojshme, pasi kanë qenë të shpërndara kërkesat në të gjitha ato zona në mënyrë uniforme.
Po në lidhje me kompensimin fizik të ish-pronarëve ç'mund të na thoni?
Ka tre vendime të Këshillit të Ministrave për tokat bujqësore, pyjet dhe kullotat, si dhe për 29 objektet e nxjerra nga ana e Ministrisë së Ekonomisë. Natyrisht ne po bashkëpunojmë me zyrat e mbrojtjes së tokës, AMT-të, drejtoritë e bujqësive për të verifikuar ku ndodhen parcelat, që do të përfshihen në këtë proces. Pastaj do të shikohet regjistrimi i parcelave në pronësinë e shtetit, me emrin "shtet", pra do të shikohen me radhë. Pra, janë verifikime që kryhen me zyrat rajonale të AKKP-së.
Ka ndonjë vendim të marrë në lidhje me këtë çështje nga ana e AKKP-së?
Deri tani nuk ka një procedurë, apo një miratim për fillim e ndarjes së fondit fizik, pasi të jetë verifikuar ai fond fizik, do të miratohet dhe mënyra e shpërndarjes së tij. Mendoj se AKKP-ja brenda tre mujorit të parë vitit të ardhshëm mund të realizojë kompensimin fizik.
Fluks i madh depozitimesh, për dy ditë 50 dosje
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka nisur prej dy ditësh procesin e kompensimit financiar, duke mbledhur kërkesat e ish-pronarëve. Në godinën e AKKP-së, përballë Këshillit të Ministrave, te vendi i quajtur dy kullat e Tiranës, vëren një numër të madh qytetarësh, të cilët kërkojnë, që të përfshihen në procesin e kompensimit financiar. Njerëz nga të gjitha anët e vendit kanë mbërritur në Tiranë, që të tërheqin formularët për plotësimin e dokumentacionit për t'u futur në dosjet e kompensimit. Në zyrat e katit të gjashtë, njerëzit presin në radhë, gjersa të tërheqin kuponin me numrin përkatës. Çdo ish-pronar duhet të tërheqë te zyra përkatëse numrin rendor, për të pasur të drejtën, që të vijë në momentin kur t'i vijë radha për të depozituar dokumentet. Punonjës e AKKP-së shprehen se deri më tani janë mbi 150 dosje të depozituara, por nga seleksionimi për mungesë dosjesh, janë pranuar mbi 50. Personat që paraqiten ankohen në lidhje me vonesat që shfaqen, siç edhe mospasja në kohë e formularit që duhet plotësuar. Por ekspertët e AKKP-së theksojnë, se në ditët e para ka një fluks të lartë të njerëzve, pastaj parashikohet rënie e depozitimit të kërkesave. Ish-pronarët duhet të plotësojnë disa dokumente për t'u përfshirë në dosjen e veçantë. Zyra juridike më pas administron dokumentet e depozituara nga ish-pronarët.