Catania nuk dorëzohet për Bogdanin
ROME-Edhe pse ka marrë përgjigje negative nga udhëheqësit e Chievos, Catania nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga Erjon Bogdani. Drejtori sportiv i këtij klubi, Lo Monaco, është i angazhuar për ta sjellë në ekip një element të rëndësishëm, i cili i mungon këtë sezon Catanias. Objektiv kryesor i ekipit të trajnerit serb, Sinisa Mihajlovic, mbetet sulmuesi shqiptar, Erjon Bogdani, shkruan uebfaqja italiane, livesicilia.it. Të hënën, drejtori sportiv i skuadrës nga Verona, Giovanni Sartori, thoshte se 100 për qind, Chievo nuk do ta shesë asnjërin nga katër sulmuesit, Bogdani, Pellissier, Granoche e Abbruscato. Mirëpo, në futboll kurrë nuk i dihet. Në shkëmbim të Bogdanit, Catania duket se ia ka propozuar Chievos njërin nga futbollistët, Adrian Ricchiuti apo Gianvito Plasmati, por Sartori e ka kërkuar si ndërrim japonezin Morimoto. (d.b/BalkanWeb)