E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu nuk merr pjesë në samit me logon “UNMIK-Kosovo”

PRISHTINE- Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu nuk do të pranojë që të shkojë në konferencën rajonale BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 20 mars në Bërdo afër Kranjës, nëse Kosova ftohet të përfaqësohet nën logon UNMIK/ Kosovo.
Këshilltari i presidentit Xhavit Beqiri bëri të ditur për Tevizionin Koha të Kosovës se Sejdiu do të marrë pjesë vetëm si presidenti i Republikës së Kosovës dhe në asnjë mënyrë tjetër.
Reagimi i Presidencës vjen pas shkrimeve të sotshme të mediave serbe se Kosova në atë konferencë do të përfaqësohet nga UNMIK-u. Madje e përditshmja serbe “Danas”, duke u bazuar në burimet e saj në Bruksel, shkruan se presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi “tashmë kanë rënë dakort” të marrin pjesë në këtë konferencë, dhe se në dokumentet e konferencës Kosova pritet të përfaqësohet me logon UNMIK/Kosovo”, ndërkaq para të pranishmeve në tryezë do të qëndrojë vetëm emri i tyre, dhe jo edhe shteti prej nga vijnë.

Danas: Sejdiu e Thaçi në Slloveni do të përfaqësojnë shtetin "UNMIK/Kosovo"
E përditshmja e Beogradit “Danas”, në një shkrim të saj sot pohon të jetë gjetur “ilaçi” sipas të cilit edhe Beogradi, edhe Prishtina mund të marrin pjesë në Konferencën për Ballkanin në Bërdo afër Kranjit (slloveni). Gazeta citon burime, sipas të cilave Sejdiu dhe Thaçi kanë pranuar emrin e vendit "UNMIK/Kosovo", që ka qenë një nga kushtet e Serbisë për të marrë pjesë në këtë konferencë.
Në materialet për punë të konferencës rajonale BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 20 mars në Bërdo afër Kranjit (në Slloveni), do të vihet në dukje se Kosova do të marrë pjesë me emrin “UNMIK/Kosovo”, kurse në tavolina para pjesëmarrësve do të qëndrojë mbishkrimi vetëm me emrin e mbiemrin e tyre, pa u përmendur shteti.
Sllovenia do të ftojë nga Kosova edhe përfaqësuesit e Prishtinës, edhe të UNMIK-ut, pohon “Danas” t’i ketë deklaruar e ngarkuara me punë në Ambasadën sllovene në Beograd, Jadranka Shturm – Kocjan.
“Konferenca do të organizohet sipas të ashtuquajturit format “gimnih”, përkatësisht sipas mënyrës së deritashme të thirrjes së mbledhjeve joformale të BE-së. Organizatorët do të ftojnë në cilësinë e pjesëmarrësve zyrtarët më të lartë të institucioneve të Prishtinës dhe përfaqësuesit e UNMIK-ut. Në materialet për konferencë duhet të jetë qartë e theksuar se Kosova prezantohet me emrin “UNMIK/Kosovo”, kurse para pjesëmarrësve në tavolina do të qëndrojë mbishkrimi vetëm me emrin dhe mbiemrin, pa u përmendur shteti nga vijnë. Po ashtu, sa i përket Kosovës, fillimisht do t’i jepet fjala përfaqësuesit të UNMIK-ut, e pastaj përfaqësuesit të institucioneve të Kosovës”, i ka sqaruar Shturm – Kocjan “Danasit”.
Kjo gazetë pohon të ketë informacione nga burime në BE se presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi kanë pranuar që me këto kushte të marrin pjesë në Konferencë.

Ambasadorët e Sllovenisë e të Kroacisë në Prishtinë, dy vendet të cilat në bashkëpunim me Këshillin e BE-së organizojnë konferencën në Bçërdo afër Kranjit, kanë biseduar mne Sejdiun e Thaçin dhe ua kanë prezantuar formatin “gimnih” të mbledhjes së paraparë, dhe ata kanë pranuar.
Në konferencë do të duhej të merrnin pjesë edhe Sejdiu, edhe Thaçi, citon kjo gazetë bashkëbiseduesit nga Brukseli.
Kabineti i presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, nuk ka mundur t’i komentojë këto informata, meqë sipas gazetës ftesa zyrtare për këtë mbledhje ende nuk ka arritur në Beograd.
Tadic kohë më parë u ka thënë gazetarëve se Serbia nuk ka asgjë kundër pjesëmarrjes së Prishtinës në tubimet ndërkombëtare, nëse ajo prezantohet si “UNMIK/Kosovo”.

(d.b/Koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›