E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu përshëndet vendimin e GJND-së. Ftojmë Serbinë që të bashkëpunojë

Vizioni i vetëm i Kosovës është integrimi i saj i shpejtë në Bashkimin Evropian, NATO dhe në OKB. Kështu u shpreh Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës, duke shtuar se Kosova dhe Serbia, këtej e tutje duhet të punojnë për krijimin e një fryme të re bashkëpunimi mes tyre.

“Ky mendim hap udhë për progresin e mëtejshëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Me kete rast, e ftojmë Republiken e Serbise, t'i bashkangjitet vizionit të pergjithshem, të shteteve të rajonit për një të ardhme më të ndritshme, dhe për integrim sa më të shpejtë euro-atlantik. Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë duke qënë fqinjë të parë, duhet të punojnë për kriimin e një fryme të re të bashkëpunimit, në interes të mirëqënies dhe perspektivës së qytetarëve të të dyja shteteve sovrane” tha Sejdiu.

Ndërkohë Sejdiu ka theksuar se Kosova shpreh falenderimin e saj për të gjitha vendet që e kanë mbështetur në rrugën e saj drejt lirisë dhe pavarësisë së saj.

“Republika e Kosovës, rithekson se vizioni ynë i vetëm, është integrimi i saj i shpejtë, në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në vetë organizatën e Kombeve të Bashkuara. Duke vlerësuar se Kosova është një rrëfim suksesi, i një investimi të madhe edhe ndërkombëtar, Republika e Kosovës, shpreh sërish falenderimin e saj të thellë, për të gjitha vendet, që e kanë mbështetur Kosovën në udhën e saj të lirisë dhe pavarësisë, në procesin e njohjes së saj në botë, si dhe mbështetjen e dhënë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë” tha Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ka falenderuar në mënyrë të vecantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, si dhe vendet e tjera të botës demokratike, NATO-n për rolin e vecantë që ka luajtur për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

Dhimitër Adhami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›