Sejdiu takim me presidentin e Malawit
Presidenti Fatmir Sejdiu ka zhvilluar një takim të ngrohtë me presidentin e Malawit, Bingu wa Mutharika, me të cilin bisedoi për zhvillimet historike dhe politike në Kosovë, duke paraqitur argumentet në favor të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj. Presidenti Mutharika - siç bëhet e ditur në një komunikatë të Presidencës - theksoi se populli i Kosovës ka të drejtë të jetë i lirë dhe i pavarur dhe të vendosë për fatin e vet, ashtu si çdo popull tjetër në botë. Në veçanti, theksoi ai, Kosova meriton të jetë e pavarur si të gjitha njësitë tjera të ish-Jugosllavisë që tashmë janë të pavarura. Ai premtoi se vendimi për njohjen e Kosovës nga ana e Malawi-t do të ndodhë shumë shpejt dhe mirëpret vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve.