Berisha, vizitë në Kosovë më 6 tetor
Me ftesë të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, do ta vizitojë Kosovën. "Kryeministri Berisha do të qëndrojë në Kosovë më datën 6 dhe 7 tetor", ka thënë për Radiotelevizionin e Kosovës, Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gëzon një reputacion të madh te kosovarët. Ai, që nga përfundimi i luftës, vetëm një herë e ka vizituar Kosovën. Kjo do të jetë vizita e tij e parë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në ditët në vijim pritet të sqarohet nga stafi pranë Kryeministrit edhe axhenda e shefit të qeverisë në Kosovë. Pak kohë më parë Berisha u përfshi në një debat mes partive politike të Kosovës. Disa prej tyre e akuzuan se po ndërhynte në prag të garës për zgjedhjet lokale, duke favorizuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këto deklarata u hodhën poshtë nga Kryeministri Sali Berisha në prononcimet e mëpasshme publike. Ai sqaroi se ka marrëdhënie të mira me të gjitha forcat politike në Kosovë.