Meta, takime me zyrtarët e lartë amerikanë
Gjatë vizitës së tij në SHBA, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka vijuar takimet e rëndësishme me zyrtarë të lartë, por edhe me homologë të tij të shteteve të ndryshme. Zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme bën të ditur se ministri Meta dje është takuar me zv.ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Stuart Jones dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Qipros dhe të Rumanisë. Gjatë takimit me zv.ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Stuart Jones, u bisedua mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë e SHBA-së dhe zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Një vend të veçantë në bashkëbisedim zuri edhe diskutimi mbi situatën në rajon dhe perspektivën e saj. Zëvendëskryeministri Meta bëri një paraqitje të zhvillimeve lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe krijimin e koalicionit qeverisës. Më tej, Meta dhe Jones biseduan mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe perspektivën e mëtejshme të marrëdhënieve midis Shqipërisë e SHBA-së, si edhe për zhvillimet më të fundit në rajon. Zoti Meta e siguroi bashkëbiseduesin e tij për angazhimin e qeverisë shqiptare për të luajtur një rol sa më konstruktiv e të moderuar në shërbim të paqes, stabilitetit e aspiratave të përbashkëta për integrimin europian të vendeve të rajonit. Njëkohësisht, ai theksoi vendosmërinë për të vazhduar luftën kundër trafiqeve ilegale, korrupsionit e krimit të organizuar, si edhe ripërsëriti angazhimin e vendit për pjesëmarrje aktive në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit. Nga ana e tij, Jones, e uroi zëvendëskryeministrin Meta për detyrën e rëndësishme. Ai shprehu vlerësimin për zgjedhjet si më të mirat e zhvilluara deri më sot. Lidhur me Kosovën, bashkëbiseduesit ndanë mendimin mbi rëndësinë e përfshirjes së saj në nismat rajonale, si garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.