E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu uron të krishterët për Krishtlindje

Prishtinë -Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve. Telegramin e urimit, presidenti Sejdiu ia ka dërguar Papa Benediktit XVI dhe Ipeshkëvit të Ipeshkëvisë së Republikës së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit.

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës

Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për festën e Krishtlindjes, e cila është dita e madhe e lindjes dhe e forcimit të besimit në Zotin. Këtë ditë të bekuar ne po e kremtojmë për herë të parë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, e cila, me punën tonë të përbashkët dhe me ndihmën e madhe të miqve tanë të shumtë, po forcohet dita-ditës si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë.

Duke theksuar përkushtimin tonë për integrimin e vendit tonë në familjen e madhe të kombeve të lira, ne edhe sot shprehim nderimin tonë të përhershëm për të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për të gjithë ata që me lutjet dhe me punën e tyre mundësuan kremtimin e kësaj dite në paqe dhe në liri.

Sot, përkujtojmë të lumnuemen Nënën Terezë, Papa Gjon Palin II, Presidentin Ibrahim Rugova, ish-Ipeshkvët e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Nikë Prelën e Imzot Mark Sopin, pastaj përkthyesin në shqip të Biblës, Imzot Simon Filipajn, po edhe shumë personalitete të tjera, që luajtën rol të rëndësishëm në plotësimin e aspiratës sonë shekullore për liri e pavarësi.

Urime të përzemërta u shprehim edhe komandantëve dhe ushtarëve të KFOR-it/NATO-s, përfaqësuesve të EULEX-it dhe ambasadorëve të vendeve mike të akredituar në Republikën tonë.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe njerëzit e saj të mirë!
Urime dhe për shumë mot!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›