E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu zëvendëson Ramën

Nazmi Rama ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Trepçës, menjëherë pas humbjes që kjo skuadër e ka pësuar në Skenderaj nga Drenica me rezultat 2:0.

Mirëpo, drejtuesit e klubit mitrovicas menjëherë të dielën e kanë emëruar Gani Sejdiun shef të shtabit teknik, të cilin post trajneri mitrovicas e mbante edhe në fillim të këtij kampionati.

“Unë jam kontaktuar nga drejtuesit e klubit të shtunën mbrëma, derisa bisedimet i finalizuam sot (e diel). Pra, kemi arritur marrëveshje që në vazhdim të kampionatit ta udhëhiqi unë Trepçën”, deklaroi Gani Sejdiu për Express.

Në pesë ndeshjet e para të stinorit pranveror, Xehetarët kanë shënuar vetëm një fitore, derisa tri herë kanë luajtur baras dhe kanë pësuar një disfatë. Por, ish trajneri i Kosovës (V) beson se nën udhëheqjen e tij klubi mitrovicas do t’u rikthehet fitoreve.

“Rezultatet e deritanishme nuk kanë qenë edhe aq të këqija, sepse Trepça mban pozitën e parë. Është kampion aktual vjeshtor, por edhe pjesën e dytë e përmbylli në vendin e parë. Megjithatë, ka qenë e mundur të fitohen më shumë pikë në këto pesë ndeshje”, tha Sejdiu.

“Unë besoj se do t’u kthehemi rezultateve pozitive dhe besoj se do ta rrëmbejmë titullin. Sikur të mos besoja në këto, atëherë nuk do ta merrja detyrën e trajnerit. Por, nuk duhet harruar se do ta kemi edhe vështirë t’i arrijmë synimet, sepse kemi rivalë Besën, Lirinë, Hysin, KEK-un etj., ekipe shumë të forta. Por, ne duhet të mobilizohemi të gjithë në klub dhe të përqendrohemi maksimalisht për t’i arritur synimet”, theksoi Sejdiu.

Fetahu, afër rikthimit në Trepçë

Pas humbjes së fundit nga Drenica (2:0), Trepça ka filluar të mendojë për përforcime të reja në repartin ofanziv. Kështu Xehetarët janë duke u përpjekur ta rikthejnë në Mitrovicë sulmuesin Enis Fetahu, i cili aktualisht është lojtar i lirë.

“Jam në bisedime me zyrtarët e Trepçës, me të cilët kam marrëdhënie të mira. Aty i kam dyert e hapura, por shkaku i disa angazhimeve tjera private që i kam po hezitoj. Megjithatë, brenda tri apo katër ditësh gjithçka do të qartësohet”, tha Fetahu për Express, i cili edhe më parë e ka bartur fanellën e këtij klubi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›