Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts viziton Kosovën
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts arriti sot në Kosovë – zyrtari më i lartë amerikan që viziton Kosovën që kur ajo shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt.
Zoti Gejts, i cili gjatë vizitës njëditëshe bisedoi me zyrtarët më të lartë të Kosovës, tha se qëllimi i tij kryesor është të takohet me trupat amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 1,500 trupa në Kosovë, si pjesë e forcës paqeruajtëse të NATO-s.
Zoti Gejts tha se trupat amerikane do të qendrojnë atje deri të paktën nga fundi i vitit 2009. Ai ritheksoi zotimin që Presidenti Bush u ka dhënë shqiptarëve të rajonit se Shtetet e Bashkuara kanë hyrë së bashku me aleatët në Kosovë dhe do të largohen së bashku.Zoti Gejts tha se nuk beson që ndarja e Kosovës është pjesë e zgjidhjes tani apo në të ardhmen.
Shtetet e Bashkuara tha ai, mbështesin tërësinë tokësore të Kosovës.Zoti Gejts ritheksoi mbështetjen për krijimin e forcës së sigurisë së Kosovës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë caktuar tashmë fondet për trainimin e kësaj force.
Pas Kosovës, zoti Gejts shkon në Maqedoni, e cila aspiron të
anëtarësohet në NATO. Të enjten dhe të premten ai do të marrë pjesë në
një takim të aleancës në Hungari. //ii