Anëtarët e KQZ-së bëjnë betimin para Kuvendit
Anëtarët e sapozgjedhur të Komisionit Qendror Zgjedhor janë betuar dje para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, lexoi emrat e anëtarëve të rinj dhe u uroi suksese në punën e tyre shumë të rëndësishme. Ajo lexoi formulën e betimit ndërkohë që 7 anëtarët e KQZ-së thanë njëzëri se betohen përpara Kuvendit për të realizuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit detyrën e tyre. Shtatë anëtarët e rinj të KQZ-së u votuan gjatë seancës së ditës së hënë duke marrë shumicën e votave. Po gjatë kësaj seance u zgjodh me konsensus kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i propozuar nga Partia Demokratike. Anëtarët e tjerë të KQZ-së janë Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni të propozuara nga PD-ja, Dëshira Subashi dhe Artan Laze, të propozuara nga PS-ja, Klement Zguri i propozuar nga PR-ja dhe Pandeli Varfi i propozuar nga PSD-ja. Pas kësaj procedure, pritet që më pas anëtarët e KQZ-së të zgjedhin edhe nënkryetarin, firma e të cilit duhet të jetë e pranishme në çdo akt të firmosur nga ky komision.
Topi në Përmet: “Do të trajtoj në KLD riorganizimin e pushtetit gjyqësor”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar dje një vizitë në qytetin e Përmetit.
Presidenti Topi është pritur në sheshin e qytetit nga prefekti i Qarkut të Gjirokastrës dhe më pas ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë dhe me anëtarë të Këshillit Bashkiak. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, pasi u njoh me shqetësimet e zonës, Topi premtoi se në mbledhjen e afërt të KLD-së do të ngrejë për diskutim shqetësimin e tyre për riorganizimin e pushtetit gjyqësor. “Probleme të tjera kanë dalë edhe pas riorganizimit të pushtetit gjyqësor, të gjykatave, të cilat me një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të 28 gushtit të vitit 2007 janë organizuar mbi bazë qarku. Faktikisht, këto janë eksperienca të reja, të cilat vijnë edhe si pasojë e spostimeve demografike dhe të çështjeve që kanë në përdorim gjykatat. Gjithsesi, unë jam i ndjeshëm si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ta marrë si shqetësim dhe për ta trajtuar nëpërmjet mekanizmave kompensues”, - është shprehur Topi. Ai gjithashtu kërkoi që repartet ushtarake që nuk janë më në përdorim t’u jepen pronarëve të tokës. “Ato mund të shkojnë edhe në favor të pronarëve, të cilët i kanë pronat pikërisht aty ku kanë qenë këto reparte”, - është shprehur Topi. Ai u bëri thirrje drejtuesve lokalë që të zhvillojnë turizmin në këtë zonë, veçanërisht në Komunën e Frashërit, si dhe të nxisin prodhimin e produkteve vendase.
Vendet e rajonit angazhohen në ndërtimin e Korridorit 8
Projekti i Korridorit 8 ka mbledhur dje, në mjediset e Kuvendit, deputetët e Komisioneve të Transportit dhe Industrisë të Parlamenteve të Shqipërisë, Italisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, me pjesëmarrjen e Trupit Diplomatik, organizmave europiane dhe ekspertëve të fushës. Takimi ndërparlamentar, i pari i këtij niveli i mbajtur në Shqipëri, synon t’u japë një nxitje të mëtejshme qeverive dhe institucioneve të vendeve që përshkon Korridori 8 për të shpejtuar realizimin e projekteve për ndërtimin e tij.
“Korridori 8 ka një impakt të ndjeshëm jo vetëm në integrimin infrastrukturor, por edhe ekonomik të vendeve tona. Ai sjell një integrim social e njerëzor të një rajoni, që për një kohë të gjatë ka vuajtur izolimin dhe natyrshëm kërkon rikthimin në familjen europiane”, - është shprehur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Sekretari i Komisionit të Transportit të Parlamentit italian, Karlo Fratti, tha se Korridori 8 është elementi kyç për integrimin ekonomik të rajonit. “Në këtë pikëpamje kërkohet një angazhim konkret i parlamenteve tona për implementimin e projekteve të infrastrukturës”, - është shprehur Frati. Përfaqësuesi i Komisionit Europian në Shqipëri, Luigi Brusa, tha se Korridori 8 do të jetë një nga përparësitë e Komisionit Europian në zhvillimin e infrastrukturës së rajonit për muajt e ardhshëm. Sipas zotit Brusa, ndërtimi i këtij korridori do të hapë shumë vende pune si një mjet efikas për përballimin e krizës globale ekonomike. Në fund të takimit, pjesëmarrësit miratuan një deklaratë për nxitjen e ndërtimit të Korridorit 8.
6 Shkurt 2009