E Diel, 1 Nëntor 2026

Arban Hasani : “Qeveria shkeli Kodin, duhej të ishin shpallur listat paraprake të zgjedhësve”

Analisti Arban Hasani komenton situatën në prag të zgjedhjeve parlamentare. Shkrirja e partive të vogla, loja me Kodin Zgjedhor dhe rënia e imazhit të PD-së

Qeveria po shkel Kodin Zgjedhor pasi duhej të ishin shpallur listat paraprake të zgjedhësve, dy javë pas dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës. Ky është konstatimi që bën analisti Arban Hasani, njëherësh drejtor Informacioni në Vizion Plus. Në një intervistë për gazetën, ai komenton situatën në prag të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Edhe kësaj radhe, partitë po tentojnë të bëjnë manipulime me ligjin zgjedhor, siç ndodhi katër vjet më parë në mega-Dushk. Hasani vëren se këto zgjedhje po e çojnë spektrin politik drejt bipolarizimit, pasi partitë e vogla do të jenë të shkrira brenda dy subjekteve kryesore, liderët e të cilëve kanë në dorë fatin e këtyre zgjedhjeve. Ai parashikon që zgjedhjet parlamentare të verës së këtij viti do të jenë më të mira se ato të kaluarat dhe kjo për faktin se Shqipëria në atë periudhë do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. Të qenit pjesëtar në Aleancë kërkon dhe nxit standardet për procese të lira dhe demokratike. Në testin e radhës, që pritet të finalizohet pas 28 qershorit, partia kryesore qeverisëse, sipas zotit Hasani, hyn me një bilanc rezultatesh negativ, sidomos në dy vitet e fundit të mandatit të saj, të cilat nisin me aferat që lidhen me tragjedinë e Gërdecit.

Z. Hasani, më pak se 6 muaj na ndajnë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare. Si e vlerësoni situatën në dy kampet kryesore të politikës shqiptare? Si po përvijohen koalicionet zgjedhore?

Situata brenda dy partive kryesore është e ngarkuar kryesisht me një shqetësim: hartimin e listave të kandidatëve për deputetë. Sistemi i ndryshuar ka bërë të mundur që këtë herë qenia apo jo në listat e deputetëve të determinojë edhe jetën e brendshme të partive politike. Aq më tepër që këta muaj janë shumë të rëndësishëm edhe në një plan më të gjerë. Acarimi i klimës politike është shprehja më e qartë se tashmë jemi në pikun e parafushatës zgjedhore. Të dyja palët, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, duket se kanë nisur këtë stinë parazgjedhore me maksimumin e energjisë për të shmangur njëherë e mirë shijen e konsensusit që i bashkoi përgjatë gjithë vitit 2008. Ky konsensus shërbeu në radhë të parë për të vendosur rregulla të reja loje përsa i takon procesit zgjedhor si dhe ndryshoi dukshëm modelin politik që do të na qeverisë në të ardhmen. Tashmë janë partitë politike, si struktura unitare, ato që do të përcaktojnë fatet e ardhshme të vendit. Madje, më saktë, liderët e dy formacioneve kryesore politike, zotërinjtë Berisha e Rama.
Përsa u takon koalicioneve, nuk mendoj se mund të kemi surpriza të mëdha gjatë muajve të ardhshëm. Jashtë dy koalicioneve të mëdha ka mbetur vetëm LSI-ja, ndërsa duket se PBDNJ-ja do të synojë një afrim lokal me të majtën për të maksimalizuar votën e saj në jug të vendit. E paqartë, sidoqoftë, mbetet se me çfarë kushtesh janë krijuar këto koalicione, cilat janë lëshimet që partitë e mëdha kanë bërë në favor të programeve të aleatëve të tyre më të vegjël. Deri tani duket sikur kemi të bëjmë me raporte vasaliteti, ku të vegjlit i janë bashkuar pa asnjë kusht “vëllait” të tyre të madh. Nuk thuhet për shembull se në rast të një fitoreje të së djathtës cila është pika e programit që bashkon në qeverisje Fatmir Mediun, Arian Starovën apo Lufter Xhuvelin me Berishën, veç garantimit të një, dy apo tre vendeve në listat për deputetë. Siç, në krahun tjetër, nuk kuptohet se çfarë do të gjejë të realizuar nga aspirata e tij votuesi i Gjinushit, Milos apo Erion Velisë te bashkimi me Edi Ramën. Pra, duket sikur ekzistenca e këtyre partive të vogla shërben vetëm që dy-tre njerëz prej tyre të sigurojnë vende të sigurta në listat zgjedhore të PD-së dhe PS-së. Në këtë kuptim kemi vetëm dy parti dhe termi koalicion është vetëm një gjasmim për të mbajtur ende në ambjent parti që të vetme nuk mund as të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje e jo më për të pasur vota.

Kodi i ri Zgjedhor nuk është provuar, por është paralajmëruar se ka kleçka që mund të përdoren nga subjekte të ndryshme politike për të përfituar në mënyrë të pandershme, siç ndodhi me mega-Dushkun në zgjedhjet e kaluara. A shihni se ka mundësi për spekulime edhe në këtë Kod?

Duke iu shmangur paranojave dhe hamendësimeve apriori, por duke u bazuar vetëm te faktet, shihet se qysh tani po bëhen disa tentativa për të luajtur me Kodin. Kështu, së pari, është shkelur rëndë ligji, pasi ende nuk është bërë publike lista paraprake e zgjedhësve, e cila ishte e detyrueshme të shpallej dy javë pasi Presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve, ndryshe më 29 janar. Duket si një problem teknik, por nuk është i tillë. Faktet sërish flasin se palët po kalkulojnë numrat, po zhvendosin votues dhe po krijojnë disa korridore spekulimesh edhe në këtë Kod. Për shembull, nëse në Shkodër ka 200 mijë votues, po shihet mundësia që edhe në Vlorë të ruhet i njëjti nivel. Siç duket, duhet gjetur çelësi i balancimit të Kukësit me Gjirokastrën, sepse, vetëm pasi të dalë regjistri i votuesve, atëherë bëhet dhe përcaktimi i numrit të deputetëve sipas zonave. Pra, po shkelet ligji, nuk ka transparencë në përcaktimin e numrit të deputetëve sipas zonave dhe nga ana tjetër dihet si dështoi procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. Në këtë kuadër, duket se, për fat të keq, edhe në këto zgjedhje do të ketë përfitime në mënyrë të pandershme si në zgjedhjet e kaluara, pa folur këtu ende për ç’ka mund të ndodhë gjatë ditës së zgjedhjeve apo pa parashikuar fatin e kutive të caktuara të votimit.

Si e vlerësoni situatën brenda së djathtës tashmë që kanë kaluar më shumë se tre vjet konsum pushteti? Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të kësaj qeverie në këto zgjedhje?

Në fakt, në Shqipëri kemi të bëjmë jo me një parti të Djathtë, por me një Parti Popullore që synon të kënaqë shumë më tepër kategori sesa e Djathta apo Qendra e Djathtë. Jo vetëm prej prejardhjes së lidershipit. Më së shumti, sepse tezat e “kafshatës”, “dietës”, “kursimit”, taksave të larta për bizneset e mëdha dhe dhjetëra shembuj të tillë tregojnë se Partia Demokratike dhe e djathta nuk mund të jenë e njëjta gjë. Megjithatë, në fund të mandatit të saj, mund të thuhet se bilanci i qeverisë, për fat të keq, nuk është pozitiv. Megjithë shpresën e madhe që kultivoi në 2005-n, Partia Demokratike, kryesisht, solli një zhgënjim të fortë gjatë qeverisjes së saj. Të gjitha tentativat pozitiviste duket se morën të tatëpjetën pas vitit të dytë të qeverisjes, ku si vijë demarkacioni mund të konsiderohet 15 marsi 2008, tragjedia e Gërdecit. Në dy vitet e para, qoftë edhe si perceptim, u kultivua fryma antikorrupsion në administratë; u realizua ulja e taksave për biznesin e vogël; lehtësimi i procedurave të biznesit; tjetërsimi i imazhit të doganave dhe tatimeve; u arrit të investohej në vepra madhore publike. Gjithashtu, në ato dy vite, vendi u bë faktor stabiliteti në rajon, ku pavarësia e Kosovës u premtua gjatë vizitës së Presidentit Bush në Tiranë dhe në një farë mënyre do të garantohej me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO gjatë samitit të Bukureshtit. Gjithashtu, të drejtat politike ishin brenda normalitetit; raportet me opozitën korrekte, ndërsa marrëdhëniet e qeverisë me mediat thuajse afër standardeve europiane. Por në këto afro dy vite të mbetura, duket se korrupsioni është ulur këmbëkryq në administratë, konfliktet e kryeministrit me zyrtarët e financave japin jo një siguri ekonomike, por duket sikur zhvillohen në salla mitingjesh, imazhi i zyrave të shtetit është kthyer në gjobëvënës për bizneset e palidhura me strukturat e PD-së. “Gërdeci”, çështja “Fazlliç”, abuzimet në rrugën Rrëshen-Kalimash, tokat e Jugut, ryshfeti, kanë bërë që balanca të ndryshojë seriozisht në dëm të qeverisë. Por, jo vetëm kaq. Liritë politike dhe raporti me mediat janë bërë më shumë se problematike. Ndërhyrja e qeverisë në institucionet e pavarura ka bërë që Shtetet e Bashkuara të kritikojnë nominalisht ministra, gjë kjo e paprecedentë, ndërsa shkeljet sistematike të Kushtetutës kanë gjetur kundërshtimin e të gjitha kancelarive euro-atlantike. Me këtë bilanc është shumë i vështirë një rikonfirmim, qoftë edhe me karta populiste, si ajo e lustracionit, ku përpjekjet për të maksimalizuar sensibilitetin e të persekutuarve politikë për efekt elektoral çojnë në beteja donkishoteske me SHBA-të, të cilave u thuhet se “nuk e njihni mirë këtë çështje, pasi nuk keni provuar komunizmin”. Besoj se është pikërisht ky shembull ai që tregon më së miri se ç’ka ndodhur nga 2005-a e deri sot te qeveria jonë.

A do të kemi një proces zgjedhor më të mirë se ai i vitit 2005?

Janë të gjitha gjasat që të kemi një proces më të mirë zgjedhor, jo vetëm prej retorikës së palëve apo asaj që betohen liderët kryesore të tyre. Më 29 qershor, Shqipëria do të jetë vend anëtar me të drejta të plota i NATO-s. Është e pamundur që në një vend, i cili është pjesë e kësaj aleance politike e ushtarake, të vidhen votat; të përndiqen kundërshtarët politikë; të rrihen deputetët në sheshin “Skërderbej”; të digjen redaksi gazetash apo të burgosen gazetarë. Është e pamundur që në një vend anëtar të NATO-s të mos njihet rezultati i votimeve, siç është absurde të mendohet se mund të kemi një proces më negativ zgjedhor sesa paraardhësit. Ajo që mbetet për t’u parë është se si do të qeverisin në të ardhmen fituesit e këtyre zgjedhjeve (cilado palë qoftë); nëse do të na vonojnë edhe për shumë vjet në aspiratën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›