Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vizitë zyrtare në Shqipëri, detajet e axhendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, do të zhvillojë nesër vizitë zyrtare njëditore në Shqipëri. Vizita e zyrtarit të lartë të Aleancës së Atlantikut të Veriut koinçidon një ditë përpara protestës së paralajmëruar nga opozita shqiptare në Tiranë. Do të jetë data 29 prill, kur në aeroportin e vetëm në Rinas “Nënë Tereza”, në orën 10:00 të paradites, do të mbërrijë funksionari më i lartë i NATO-s. Vizita e Rasmussen në Shqipëri është vizita e parë zyrtare në vendin tonë. Delegacioni që do të presë zyrtarin e lartë do të përbëhet nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në NATO Artur Kuko, drejtori i Përgjithshëm Spiro Koçi, drejtori i Protokollit të Shtetit, Ridi Kurtezi dhe specialisti i Protokollit të Shtetit, Ermal Dredha. Pas pritjes zyrtare që do t’i zhvillohet në aeroport, delegacioni i NATO-s sëbashku me atë shqiptar do t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pas mbërritjes në selinë e diplomacisë shqiptare, do të zhvillohet një takim tet a tet midis zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Pas këtij takimi që do të zgjasë përreth 10 minuta, do të ketë një takim të dy personaliteteve midis dy delegacioneve. Ky takim, sipas axhendës së vizitës zyrtare të shefit të NATO-s në Shqipëri, do të zgjasë përreth 45 minuta. Mendohet që në këtë takim do të flitet për rolin e Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut në rajon, për çështjen e Kosovës, si edhe angazhimin e Shqipërisë si vend anëtar i kësaj organizate etj,. Pas bisedimeve dypalëshe do të ketë një konferencë të përbashkët për mediat, Meta-Rasmussen, të cilët përveç zbardhjes së bisedës së tyre, do t’u përgjigjen edhe interesit të mediave për çështje të ndryshme, që do të zgjasë rreth gjysmë ore. Më pas, zyrtari i lart i cili do të vizitojë ditën e enjte vendin tonë do të niset për në ministrinë e Mbrojtjes, ku do të zhvillojë një takim me ministrin Arben Imami. Pas takimit 30-minutësh, Rasmussen do të niset për në Kryeministri ku do të zhvillojë takim me kreun e Qeverisë, Sali Berisha. Pas takimit që do të zgjasë rreth 35 minuta, do të zhvillohet një deklaratë për shtyp. Më vonë, do të ketë një drekë të ofruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, për sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Rreth orës 15:00, ky i fundit, do t’i drejtohet Kryesisë së Kuvendit ku do të zhvillojë një takim me kryeparlamentaren Topalli. Pas takimit me të, Rasmussen do të takohet gjithashtu me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Në fund të kësaj vizite, zyrtari i lart i NATO-s, përfundon serinë e takimeve në vendin tonë dhe do t’i drejtohet aeroportit. Atje ai do të zhvillojë edhe intervista me media edhe në orën 17.30 do të largohet nga vendi ynë.