E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama vazhdon trokitjet derë më derë për protestën

Ditët para protestës së 30 prillit kryetari i PS-së, Edi Rama, po i kalon duke trokitur në dyert e banorëve të periferisë së kryeqytetit, për të kërkuar njerëz që ta mbështesin në protestën e ardhshme. Gjatë ditës së djeshme, Rama, i shoqëruar dhe nga deputeti i qarkut të Tiranës, Eduard Shalsi, kanë vazhduar takimet derë më derë me banorët e njësisë nr. 9. Gjatë këtyre takimeve, kryetari Rama ka shpërndarë fletëpalosjet dhe ka dëgjuar nga afër arsyet pse të gjithë do të jenë në protestën e 30 prillit për të kundërshtuar politikat rrënuese ekonomike të qeverisë. Ndërkohë, me organizimin nëpër rrethe po merren deputetët e PS-së, të cilët kanë marrë si detyrë që të sigurojnë sa më shumë njerëz për në Tiranë. Plani është që shumica e atyre që do të vijnë në protestë, do të qëndrojnë tërë natën në sheshin para Kryeministrisë për të gdhirë në ditën 1 maj e ndoshta dhe disa ditë të tjera. Por akoma asgjë nuk zbardhet nga selia rozë për planin e protestës non-stop. Ajo që shihet, është se këtë herë kanë dhe motin në favor, pasi është ngrohtë dhe nuk do të jetë aq e vështirë sa në nëntor, kur vendosën të flinin dy net para Kryeministrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›