Komisioni i Integrimit diskuton për statusin e vendit kandidat në BE dhe liberalizimin e vizave
Mazhoranca apelon përsëri opozitën, për të realizuar kushtet e realizimit të objektiva evropiane
TIRANE – Komisioni i Integrimit zhvilloi dje mbledhjen e parë, duke filluar me diskutimet për statusin e vendit kandidat dhe procesin e liberalizimi të vizave Shqipëri-BE.
Në mbledhjen e parë, opozita si dhe në të gjitha komisionet e tjera parlamentare por edhe në kuvend, ka munguar, duke sabotuar kështu reformat që do të bëjnë të mundur afrimin e shpejtë të Shqipërisë me Unionin Evropian.
Nënkryetari i këtij komisioni Aldo Bumçi, i ka bërë thirrje Partinë Socialiste të jetë pjesë e debateve në Parlament, aq më tepër në këtë moment të rëndësishëm për integrimin e vendit.
“Shpresoj të vijë edhe opozita në mbledhje. Duhet të diskutojmë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave”, u shpreh ai.
Kryesimin e Komisionin të Integrimit e mban opozita, por në mungesë të saj mbledhja u drejtua nga nënkryetari Bumçi.
Partia Socialiste ka vendosur në forumet e saj më të larta se nuk do të shkojë në Parlament deri në plotësimin e 8 kushteve që fillojnë nga hapja e kutive të votimit e deri tek ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit.
Kryetari i PS-së, Edi Rama ndërkaq në të gjitha daljet e tij publike ka theksuar se bojkoti do të vazhdojë deri në plotësimin e të gjitha kushteve.