E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretet dhe ëndrrat e Sultan Kosen

Është turk, 27 vjeç dhe ka një gjatësi 2 metra e 46.5 centimetra. Bëhet fjalë për Sultan Kosen, mbajtësin më të ri të rekordit për njeriun më të gjatë në botë. Emri i tij do të shfaqet për herë të parë në librin "Guinness World Record 2010", por 27-vjeçari është bërë tashmë një person Vip në të gjithë botën. Kosen është shumë krenar që tashmë është pjesë e librit të rekordeve, pavarësisht problemeve që gjatësia i ka shkaktuar gjatë gjithë jetës së tij. "Gjëja që dua më shumë është një makinë që të mund të më nxërë dhe pastaj të mund të gjej një nuse për t‘u martuar. Tani që jam i famshëm, shpresoj të arrij të gjej shpirtin binjak", thotë ai. Por, pas rekordit të Kosen fshihet një histori shumë e trishtuar. I prekur që i vogël nga një tumor që shkaktonte gjigantizmin, djaloshi Kosen nuk ka pasur kurrë një jetë normale. Tani që është operuar dhe trupi e ka ndalur procesin e rritjes, shpreson të jetojë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij dhe për më tepër të bëjë një jetë normale. Por Sultan, përveç rekordit si njeriu më i gjatë në botë, mban edhe dy rekorde të tjera, atë të njeriut që ka duart dhe këmbët më të gjata: respektivisht 27.5 cm dhe 36.5 centimetra. Sultan Kosen jeton në një fshat të vogël në Turqi dhe momenti i marrjes së rekordit "Guinness" për të ishte edhe hera e parë që shihte një qytet të vërtetë. Me një buzëqeshje të ëmbël djaloshi 27-vjeçar dukej i lumtur, ndërsa kureshtarët në sheshin "Rokfeler" në Nju Jork mbetën të habitur nga madhështia e tij. Për më shumë se 20 vjet libri i rekordeve nuk kishte parë një njeri me gjatësi të tillë. "Jam vërtet i lumtur dhe krenar që jam pjesë e rekordeve ‘Guinness‘, sepse kjo ka qenë një nga ëndrrat e mia", tregon Kosen. Në të vërtetë, kjo është periudha e shumë gjërave të para dhe rekordeve për të. Kjo ishte hera e parë që Kosen shihte një qytet të vërtetë. Nju Jorku, si pjesë e turit promocional të "Guinness", ishte ndalesa e parë pas largimit nga fshati i tij i vogël me 320 banorë në lindje të Turqisë. Menjëherë më pas Kosen do të vizitojë Los Anxhelosin, Austrinë, Portugalinë, Spanjën dhe Italinë, përpara se të kthehet në vendlindjen e tij, ku është bërë tashmë një hero kombëtar.

Përpjekjet për një jetë më të lehtë

Kosen u diagnostikua se vuante nga sëmundja e gjigantizmit në moshën dhjetëvjeçare, kur doktorët zbuluan një tumor pas syve të tij. Tumori kishte shkaktuar një "presion" të jashtëzakonshëm në gjëndrën e hipofizës, duke i dhënë një rritje jashtë kufijve normalë. Ai iu nënshtrua një sërë ndërhyrjesh kirurgjikale vitin e shkuar, që i dhanë fund procesit të gjigantizmit. Por kjo gjendje i kishte shkaktuar probleme të tjera me shëndetin. Për shkak të një gjatësie të tillë, që do ta kishte zili çdo lojtar basketbolli, Kosen duhej të përdorte patjetër shkopinj për të ecur, për shkak të problemeve që iu shkaktuan në të dy gjunjët. Familja e varfër e Kosen dhe vendi ku ajo ndodhej nuk mund t‘ia lejonte vetes luksin që djali të ndiqte seanca të herëpashershme psikoterapie, për shkak të gjendjes që ai vetë nuk e kuptonte. Por tani që u bë pjesë e "Guinness"-it, Kosen e kuptoi se gjatësia e tij është diçka me të cilën ai duhet të krenohet. Ngacmimet e vazhdueshme, shikimet e kureshtarëve dhe turpi e kishin bërë Kosen një djalë të mbyllur vetëm në shtëpinë e tij dhe larg syve të botës. Por tani është krejt e kundërta. "Deri tani kam pasur një jetë vërtet të vështirë. Por jam i lumtur. Që tani e tutje do përpiqem t‘i bëj gjërat më të lehta". Kosen ishte gjithashtu i lumtur të tregonte se disa nga tiparet e tij fizike ishin gjithashtu ndryshe nga ato të qenieve të tjera njerëzore. Duart dhe këmbët e tij gjithashtu janë me përmasat e një gjigandi. Krahasuar me ato të një njeriu të zakonshëm, janë shumë herë më të mëdha. Ndërsa Kosen është pjesë e turit promocional të librit të rekordeve për vitin 2010, "Guinness" do të përpiqet ta ndihmojë atë edhe në jetën e përditshme. Vështirësitë për të qëndruar më këmbë për një kohë të gjatë e kanë bërë thuajse të pamundur për të që të punojë në një punë të vërtetë. Në fshat ai ngiste traktorin në fermën e familjes. Aktualisht, "Guinness" është në bisedime me producentë filmash dhe dokumentarësh për të pasqyruar jetën e Kosenit dhe betejën e tij me përmasat gjigande të trupit, duke shpresuar që kjo "punë" e re t‘i sjellë atij disa të ardhura të kënaqshme. Për më tepër "Guinness" është kujdesur që gjatë këtij turi djaloshi më i gjatë në botë ta ndiejë veten rehat. "Gjatë këtij turi, ‘Guinness‘ është zotuar të gjejë mjetet më të përshtatshme të transportit për mua. Por ashtu ata janë kujdesur që edhe krevati ku flija të ishte me përmasat që më duheshin mua". Kjo do të thotë se duhej të gjenin suita super të mëdha nëpër hotele dhe mjete transporti kryesisht të hapura nga lart. "E vetmja gjë që shpresoj tani është të gjej një makinë ku mund të rri i qetë dhe të gjej një nuse. Gjatësia më ka bërë që të jem i privuar nga këto gjëra", vazhdon ai. Sultan i qep rrobat me porosi, ndërsa ëndërron se një ditë do e gjejë një makinë që ta nxërë kollaj, dhe pse jo që të udhëtojë në shumë vende të botës. Kur iu desh të vinte në Nju Jork, për të ishte hera e parë që udhëtonte me avion. "Kur iu desh të futej në një nga banjat e vogla të avionit, e pa veten shumë në vështirësi. Iu desh të përpiqej shumë që të gjente pozicionin e përshtatshëm", tregon një nga përgjegjësit e "Guinness"-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›