E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpenzimet Reali mposht Barcelonen

Reali i Madridit arrin që më në fund të mposhtë Barcelonën. Megjithatë, Zhoze Murinjo ende nuk mund ta heqë fiksimin e tij, pasi kjo nuk është arritur në fushën e lojës, por për shifrat e shpenzuara në merkato.

E përditshmja spanjolle, “As”, ka bërë llogaritë për shumat që skuadrat e La Liga-s kanë investuar për blerjën e lojtarëve që prej vitit 2000 e deri më sot. Në shkallën më të lartë ndodhet klubi “merengue”, që gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar plot 1098 milionë euro për në total 61 futbollistë.

Meritën kryesore për këto investime të “çmendura” e ka padyshim presidenti Florentino Perez, i cili nuk është kursyer gjatë dy mandateve në krye të klubit madrilen. Nga 60 milionë eurot e shpenzuara për Luis Figon e deri të 94 milionët për Kristiano Ronaldon, duke mos harruar 75 për Zidan, 45 për brazilianin Ronaldo, 65 për Kaka apo edhe 35 për Benzema, sa për të përmendur disa prej emrave më të mëdhenj që Perez ka afruar në skuadër.

Por, për fatin e tij të keq, këto shifra nuk kanë sjellë fitore në fushën e lojës. Kjo edhe për faktin se Barcelona ka arritur të krijojë një skuadër ëndrrash, edhe pse ka shpenzuar “vetëm” 757 milionë euro. Edhe pse forca e “blaugranave” mbetet “Kantera”, ku prodhohen talente të jashtëzakonshëm, katalanët kanë blerë lojtarë si Vija, Fabregas e Sançez, ku secili prej tyre ka kushtuar mbi 40 milionë euro, duke mos harruar këtu edhe zhgënjimin Ibrahimoviç.

Në vendin e tretë të këtij klasifikimi renditet Atletiko Madrid, skuadër që megjithë harxhimet nuk ka pasur sukses. “Los Colchoneros” kanë shpenzuar 423 milionë euro nga viti 2000, duke blerë plot 108 lojtarë, megjithatë skuadra ka fituar vetëm dy trofe. Ndoshta klubi madrilen duhet të ndryshojë strategjitë, edhe sepse në goditjen më të fundit, ku afruan Falkaon nga Porto, ata investuan të gjithë shifrën e përfituar nga shitja e Agueros të Mançester Siti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›