Beqiraj, arma kryesore e Dinamos

Gjysma e sezonit ka përfunduar. Dinamo e Zagrebit është kampion vjeshtor dhe koha është për analizën e statistikave të muajve të kaluar. Kush luajti më së tepërmi ? Kush shënoi më së shumti gola?
Këto dhe shumë të tjera i ka publikuar ueb faqja zyrtare e gjigantit kroat, ku në një prej kategorive kryesore, atë të golave, udhëheq sulmuesi kosovar Fatos Beqiraj. Dinamo edhe këtë vit bindshëm fitoi epitetin e kampionit vjeshtor.
Skuadra nga 17 ndeshje ka bilanc prej 13 fitoresh, tri barazimeve dhe vetëm një humbjeje. Dinamo është bindës si vendas në Maksimur, ku nga tetë takime ka realizuar po aq fitore. Ekipi ka golaverazh të shkëlqyeshëm në shtëpi, 22:1 që nënkupton se mesatarisht realizon nga gati tri gola për ndeshje.
Pikërisht për këtë më meritori është Beqiraj. Sulmuesi pejan është realizuesi më i mirë i Dinamos pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit. Pejani 23 vjeç ka shënuar 11 gola, prej të cilëve nëntë në ligën kroate dhe dy në gara evropiane (kundër Malmos në Maksimir dhe Real Madridit në Santiago Bernabeu).
Është interesant fakti se Beqiraj në shtatë xhirot e para të kampionatit kroat kishte realizuar vetëm një gol, ndërsa nga e teta ishte në listën e realizuesve në secilën ndeshje përveç asaj kundër Rijekës dhe Zapresiçu. Kështu, kosovari me pasaportë malazeze nga xhiroja e tetë dhe takimi kundër Varazdinit deri te ajo e 15-ta përballë Splitit, arriti në kuotën e tetë shënimeve nga po aq ndeshje.
Dëshmi për paraqitjet e mira të Beqirajt në pjesën e parë të sezonit është fakti se ai nuk është në mesin e futbollistëve me minutazhin më të madh nga skuadra e Dinamos. Në këtë kategori, “fitues” është Domagoj Vida.
Mbrojtësi ka zhvilluar 1485 minuta në 17 ndeshje të kampionatit kroat dhe 1054 në takime evropiane: me fjalë tjera i mungojnë vetëm 71 minuta nga çdo përballje e deritashme e Dinamos këtë sezon. Të vetmet takime ku Vida nuk luajti 90 minuta ishin kundër Splitit dhe Realit si mysafir.
Golashënuesit më të mirë:
Fatos Beqiraj 11 gola
Luis Ibanez 7
Ivan Krstanović 6
Mateo Kovačić 5
Ante Rukavina 5