"Zyrtarët që abuzojnë me karrigen, zero tolerancë"
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli zgjodhi qytetin e Librazhdit për të uruar mësuesit dhe nënat në festën e tyre. Pas urimit për misionin fisnik të mësuesit dhe atë të nënës, Topalli ka nisur fjalën e saj pikërisht te pika më e nxehtë e lajmit të ditës, "skandali Pango". Pa përmendur emrin e ish-ministrit, ajo deklaroi "zero tolerancë ndaj të gjithë atyre zyrtarëve, të cilët abuzojnë me ligjin si dhe me karrigen e shtetit". Mirë bëmë, u shpreh ajo, kur shumë zyrtarëve u treguam forcën e ligjit, kur ata gabuan; mirë bëmë kur i treguam derën e burgut, kur ata abuzuan dhe kështu do të jetë për çdo spekulant të madh apo të vogël, në cilindo pozicion që të gjendet, në çdo kohë që të guxojë të abuzojë me karrigen e shtetit, toleranca jonë është zero. Kryetarja e Parlamentit, e shoqëruar nga prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, nënprefektja e Librazhdit Mimoza Qyra, drejtoresha e Përgjithshme e Prefekturave në Ministrinë e Brendshme, Mimoza Hasekiu, kanë marrë pjesë dje në një koncert që është organizuar në shtëpinë e kulturës së qytetit të Librazhdit. "Nuk kam parë kurrë një sallë kaq të mbushur, ndaj ndjehem mirë, ndjehem e privilegjuar të takoj zonja dhe zonjusha të nderuara në qytete dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë e aq më tepër të qytetit tuaj", theksoi Topalli.