E Diel, 1 Nëntor 2026

Gega debuton me humbje, por kjo Shpresë jep shkëndija

Nga Durrësi, Dorian Agolli

Rusët fitojnë falë një 11-metërshi të shkaktuar nga i riu Kërçiku, ndërsa te shqiptarët dallojnë kryesisht Sadiku dhe Brahimi

Shqipëri – Rusi 0-1

Shënues: Smolov 75

Shqipëria: Frashëri, Fejzullahu, Sallaj, Peqini, Bunjaku (Telushi 46), Brahimi, Vucaj (Dosti 46), Sadiku, Vajushi, Hoxha (Kërciku 57), Prençi.  Trajner. S. Gega

Rusia: Zabolotnij, Callagov, Gapon, Çiçerin, Zhestokov, Petrov, Sosnin, (Kajumov 66) Shatov (Gatagov 88) Jakovlev, Smolov, Kanunikov (Grigorev 54) Trajner: Nikolaj Pisarjev

Kartonë të verdhë: Vucaj, Prençi, Petrov

Gjyqtarë: M. Gestranius, M. Haninen, J. Honkanen (Finlandë)

30 – Jakovlev nga e majta kroson në zonë për Shatovin, që zhytet me kokë, por topi përfundon jashtë.

38 – Jakovlev kalon të gjithë mbrojtësit, gjuan drejt portës, por sfera kalon ngjitur me shtyllën pingule.

49 – Smolov gjuan në hyrje të zonës pa saktësinë e duhur.

53 – Sadiku provon portën në një pozicion të prirët, por topi ka prekur vetëm rrjetën e jashtme.

62 – Sadiku, pas një krosi nga këndorja, gjuan drejt portës dhe pret portieri rus.

75 – Jakovlev ndërpritet në mënyrë të parregullt nga Kërçiku dhe gjyqtari akordon 11-metërsh për Rusinë. Smolov gjuan saktë nga pika e bardhë e penalltisë dhe 0-1.

80 – Pas një krosi nga e djathta, Telushi gjuan me kokë, por është i pasaktë.

85 – Grigorev shkëputet bukur, u shmanget dy mbrojtësve, hyn në zonë, gjuan drejt portës dhe vetëm trau i mohon golin.

93 – Goditje dënimi për kuqezinjtë në një distancë prej 25 metrash, Sadiku gjuan fort drejt portës grushton portieri.

Nga katër ndeshje të zhvilluara gjithsej në Grupin 6 eliminator, kjo e djeshmja me Rusinë ishte humbja e tretë e Shpresës sonë. Ndërkohë, ekipi rus shënon fitoren e katërt, duke dominuar grupin ku bëjnë pjesë edhe Polonia, Portugalia dhe Moldavia. Rusët prezantuan një formacion solid, cilësor, që dallohej për shkallën e madhe të lëvizshmërisë dhe shtatlartësinë.

Trajneri Skënder Gega ka bërë debutimin me 21-vjeçarët, por ka treguar që di ta impostojë mirë skuadrën në fushë. Nëse Kërçiku, i futur në fushë në pjesën e dytë, nuk do të kishte shkaktuar atë 11-metërsh krejtësisht të evitueshëm, me siguri Shpresa jonë do të kishte dalë me pikë nga Niko Dovana.

Pjesa e parë

Takimi nis me një rast të ekipit shqiptar, ku Sadiku, po të ishte treguar më i vëmendshëm, mund të shënonte. Gjithsesi, qysh në fillim të ndeshjes rusët shfaqen ambiciet e tyre, duke treguar se kishin ardhur ne Shqipëri për të marrë maksimumin. Skënder Gega hodhi në fushë një formacion mbrojtës, ku binin në sy emra të rinj si Prençi, Fejzullahu, të cilët debutonin me Shpresën. Në 45 minutat e para rusët e dominuan lojën dhe kërkonin me çdo kusht të shënonin.

Lojtari më i mirë i tyre ishte Jakovlev, me numrin 7, i cili vepronte kryesisht në krahun e majtë. Kroset e tij para zonës mbetën me rrezikshmërinë e golit, por që nuk u realizuan për mungesë konkludimi nga ana e Smolovit, Sosninit dhe Shatovit. Kapiteni Peqini e kishte shumë të vështirë mbulimin e këtij futbollisti i vetëm, pasi duhej dubluar. Kuqezinjtë u përpoqën të mbroheshin me forca të shumta, duke u vendosur pranë njëri-tjetrit për të evituar hapësirat nga ku mund të penetronin lojtarët e shpejtë rusë. Shpresat për barazim u bënë më prezente kur pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura 0-0, madje me disa raste sporadike për tanët.

Pjesa e dytë

Në pjesën e dytë, tekniku Skënder Gega hodhi në lojë tri forca të reja: Telushin, Dostin dhe Kërçikun. Diçka ndryshoi për mirë, pasi edhe epërsia ruse erdhi duke rënë. Jakovlev, më i miri për rusët, e kishte edhe më të vështirë në krahun e djathtë të mbrojtjes sonë, pasi Kërçiku kthehej thellë në prapavijë për ti ardhur nëndihmë Peqinit. Por në një moment gabon rëndë, duke i ndërhyrë në kundërkohë këtij futbollisti, duke mos i lënë rrugëzgjidhje tjetër kryesorit, i cili me të drejtë akordoi 11-metërsh.

Smolov godet saktë dhe rrjetë. Rusët, të cilën ndoshta nuk e kishin parashikuar lojën e mirë të shqiptarëve, tërhiqen në mbrojtje, për të mos pësuar gol, por pa harruar kundërsulmet me lojtarët e tyre të shpejtë. Shqipëria shtyn më shumë në krahun e majtë, aty ku Mërgim Brahimi, ndër më të mirët për tanët, shfaq të gjithë potencialin e tij teknik.

Sadiku, i cili kishte tentuar edhe më parë portën, duke e detyruar portierin mik të bëjë një pritje të mrekullueshme, vepron me mjeshtëri në minutat shtesë, teksa ekzekuton tokazi një goditje dënimi nga distanca që pritet me vështirësi nga portieri rus. Rusët fitojnë ngushtë 1-0, ndonëse ekipi ynë me pak kujdes edhe mund të merrte një pikë të çmuar. Gjithsesi, debutimi i Gegës vlen për tu vlerësuar, pasi skuadra u shfaq kompakte në fushë dhe krijoi raste shënimi.

Skënder Gega: Prisja më shumë nga 3-4 lojtarë

Trajneri i Shpresës, Skënder Gega, ka deklaruar pas ndeshjes së nuk ka mbetur i kënaqur nga 3-4 lojtarë, prej të cilëve priste më shumë. Sipas tij, ka ende për të bërë që përfaqësuesja U-21 të arrije nivelet e kërkuara. Ne ishim të vetëdijshëm që do të kishim një ndeshje të vështirë, pasi kundërshtari kishte fituar në fusha të tjera.

Gjithsesi, morëm masat për të qenë të kujdesshëm në mbrojtje dhe të shfrytëzonin kundërsulmet. Goli i Rusisë mund edhe të ishte evituar, por mungesa e eksperiencës na dënoi. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi ende shumë punë për të bërë. Përgjithësisht jam i kënaqur, por kam rezerva për tre ose katër lojtarë, nga të cilët prisja më shumë.

Pisarjev: Mundëm Shqipërinë, arritëm objektivin

Trajneri i Rusisë, Pisarjev, e ka vlerësuar Shqipërinë si kundërshtare shumë të fortë, ndërsa ndeshjen e djeshme si më të vështirën. Jemi të kënaqur që fituam, sepse nuk ishte një ndeshje e lehtë. Shqipëria na vuri më shumë në vështirësi se kundërshtarët që kemi luajtur më parë. Unë besoj se Portugalia nuk do ta ketë të lehtë me Shqipërinë. Jam i kënaqur me lojën e futbollistëve të mi, sepse realizuam objektivin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›