Skandali në Gjermani, zbulohen raste të abuzimeve seksuale në kishën katolike
Blerina Olldashi
Është njohur më herët si fenomen që ka tronditur SHBA-të dhe Irlandën. Tashmë edhe Gjermania përmendet për një valë akuzash për abuzime seksuale të priftërinjve me fëmijët e shkollave. Në Berlin, një avokat i pavarur i ngarkuar nga Urdhri i Jezitëve të hetojë skandalin, thotë, se rreth 115 deri në 120 viktima tregojnë, se me ta është abuzuar duke përmendur raste që të çojnë deri në vitet 1950. Një nga shkollat e implikuara është në Bon.
Dy priftërinj janë akuzuar për abuzim seksual ndaj nxënësve në Kolegjin “Aloisius”, një shkollë Jezuite me konvikt në Bon. Njëri nga priftërinjtë ka vdekur në vitin 1972, dhe një tjetër është tani 82 vjeç në një azil pleqsh. Në bazë të kodit të procedurës penale në Gjermani rastet e dyshuara janë të vjetruara dhe u ka kaluar afati ligjor për hapje të procesit. Kolegji “Aloisius”, i cili u vlerësua kohët e fundit si shkolla e katërt më e mirë në Gjermani, tani po bëhet shkas për hapjen e hetimeve lidhur me të gjitha pretendimet e ngritura kundër shkollës dhe fakultetit të tij. Në sfondin e kësaj krize shtrohen çështje të rëndësishme lidhur me transparencën dhe veprimet abuzive të kishës. Robert Uitbrodt, një mësues i shkollës, është anëtar i komisionit hetimor të shkollës.“Qëkurse të gjitha rastet që unë kam parë klasifikohen në kategorinë e tejkalimit të afateve, për fat të keq ne nuk kemi mundësi që të zbardhim plotësisht të kaluarën. Proceset gjyqësore në këtë rast do të na jepnin shumë më tepër qartësi. Por, mendoj që mund të themi se kanë ndodhur vërtet shumë abuzime. Ne duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë ka ndodhur brenda kontekstit të kulturës së kohës, dhe nëse konstatojmë që kemi të bëjmë me praktika të papranueshme duhet t’i ndalojmë ato”. Anëtar i komisionit hetimor ka qenë edhe drejtori i një shkolle, Ati Theo Shneider, i cili u largua nga funksioni i tij në shkollë, kur u ngritën akuzat, se ai me qëllim kishte bërë një sy qorr ndaj abuzimeve me studentët e tij. Kohët e fundit ka pasur mjaft telefonata në Kolegjin “Aloisius” jo vetëm nga ish-viktimat e nga media, por edhe nga nxënësit e saj. 500 ish-studentë kanë nënshkruar një letër të hapur, përmes së cilës shprehin keqardhjen për dorëheqjen e Atit Shneider dhe njëkohësisht kërkojnë hetimin e plotë të të gjitha akuzave.
Ndërkohë, Dean Piken ka hapur një shërbim telefonik “hotline” në Bon enkas për ata që janë të prekur nga këto veprime. Kujtdo mund t’i jepet shërbim në anonimitet. “Për mua është e rëndësishme që viktimat dhe ata që janë të prekur nga kjo krizë të marrin mbështetjen tonë. Kjo ndihmë nuk duhet të konsistojë në fjalë boshe, që ato mund t’i lexojnë në gazetë”. Ndër akuzat e ngritura për abuzime serioze në Kolegjin “Aloisius” janë ato drejtuar ndaj një prifti të moshuar 82-vjeçar, i cili shpesh ka fotografuar nxënës nudo. Studenti Darius Kramer thotë se ai nuk ka konstatuar asnjëherë që në shkollë të ketë pasur abuzime. Megjithatë, ai është i vetëdijshëm që priftërinjtë praktikojnë nudizmin me studentët. Ai thotë, se një prift njihej që i ftonte studentët të shkonin me të në sauna. Në Gjermani nudizmi në sauna është diçka e zakonshme. “Nëse dikush shkon në të njëjtën sauna me ju, ju jeni nudo ashtu si edhe kushdo tjetër atje. Unë nuk shoh ndonjë problem këtu. Por ka një dallim nëse dikush ju imponon që të shkoni atje”.
26 Shkurt 2010