E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 2 kuintale ar ne punishten ilegale te floririt



Tiranë - Askush nga punonjësit e Policisë nuk kishte parë ndonjëherë aq shumë flori sa në banesën e dy vëllezërve në rrugën “Vaso Pasha”, pak pasi kanë realizuar operacionin “Ora e florinjtë”. Paraditja e së mërkurës ka rezultuar e suksesshme për Policinë e Shtetit teksa është finalizuar kapja e një sasie të konsiderueshme metali të shtrenjtë në banesën e dy vëllezërve, që hetoheshin prej kohësh për kontrabandë. Askush nuk e mendonte se në banesën “depo” të Astrit dhe Genci Lamçes, përkatësisht 45 dhe 38 vjeç, do të gjendeshin plot 200 kilogramë ar dhe sasi të mëdha parash dhe valute. Mes sasisë së arit të sekuestruar janë edhe 2 shufra të florinjta, që dyshohet se janë grabitur nga thesari i shtetit në vitin 1997. Grabitja më e bujshme ka qenë ajo e tuneleve në Qafë Kërrabë, e cila klasifikohet si më e famshmja dhe më masivja e ndodhur ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Vlera e floririt të sekuestruar dje në kryeqytet është mbi 1 milion euro. Uniformave blu nuk u ka mbetur gjë tjetër veç të vërë në pranga dy vëllezërit “e verbuar” nga floriri.
Operacioni
Policia prej kohësh ka pasur në mbikëqyrje tregun informal të shitjes së metaleve të shtrenjta në Tiranë. Madje herë pas here janë zhvilluar kontrolle, që kanë përfunduar edhe me persona të ndaluar apo dhe sasi të konsiderueshme metali të shtrenjtë. Pikërisht, nga këto veprime është konstatuar se në Shqipëri hyjnë kontrabandë sasi të mëdha floriri, që më pas përpunohej dhe hidhej në treg në sende të punuara me çmime të leverdishme. Prej tre muajsh policia kishte rënë në gjurmë konkrete të punuesve artizanalë të arit dhe dje paradite, teksa është siguruar për vendndodhjen e punishtes dhe aktivitetin e paligjshëm, është hedhur në aksion kë është finalizuar me “bereqet”. Operacioni është koduar “Ora e florinjtë” dhe drejtohej nga sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës. Agjentët pa uniformë i janë afruar fillimisht banesës dhe më pas ata kanë thirrur kolegët e tyre të skuadrës speciale, e cila ka bërë edhe ndërhyrjen në banesën brenda së cilës gjendeshin dy persona. Thirrjet e policisë dhe hyrja e tyre në banesë kanë shokuar Astrit Lamçen, 45 vjeç dhe Genci Lamçen, 38 vjeç, që sipas burimeve, ishin duke punuar në mënyrë artizanale disa unaza dhe stoli të tjera prej floriri. Asnjë prej tyre nuk i kishte pikasur, madje nuk kishte dëgjuar as më të voglën zhurmë derisa uniformat blu kanë hyrë drejt e në shtëpinë e tyre, e kthyer në një punishte të jashtëligjshme. Ata janë vënë në pranga, ndërsa policia ka vazhduar kontrollin e banesë.
Sekuestrimet
Operacioni policor ka çuar në zbulimin e një punishteje në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë. Burime policore thanë për gazetën se suksesi u arrit pas një hetimi intensiv 3-mujor me metodat speciale të hetimit dhe një bashkërendimi të punës mes Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Taks-Forcës. Në banesën e vëllezërve Lamçe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 2 kuintalë flori, 2 shufra floriri me peshë një kg secila, shuma e parave prej 210 mijë eurosh, një milion e 500 mijë lekë, 500 dollarë dhe shumë ambalazhe dhe etiketa të firmave të njohura. Uniformat blu madje kanë arritur të dokumentojnë tërësisht aktivitetin kriminal e kontrabandën e metaleve të çmuara që realizohej në kryeqytetet përmes banesës së vëllezërve Lamçe, e cila shërbente si punishte e kontrabandës së floririt. Materialet e përpiluara për arrestimin e personave pritet t’i kalojnë për kompetencë Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa vazhdon puna për thellimin e mëtejshëm të hetimeve apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë kontrabandë. Për këtë çështje Prokuroria dhe drejtuesit e Policisë po zhvillojnë një punë të kualifikuar profesionale në drejtim të saktësimit të origjinës së sasisë së floririt si dhe goditjes në kohë të aktiviteteve të paligjshme kriminale, ku tashmë kjo strukturë është konsoliduar së tepërmi.
Shifra

2 vëllezër
kanë rënë në prangat e policisë për kontrabandë ari

200 kg flori
ishte sasia e metalit të shtrenjtë të sekuestruar nga policia

2 copë shufra
ari që peshonin nga 1 kg secila u kapën në banesën e dy shtetasve

210 mijë euro
ndodheshin në banesën e të arrestuarve pas kontrollit policor

1 500 000 lekë
iu gjetën vëllezërve Lamçe në kasafortën që mbanin në shtëpi

500 USD
ishin paratë e portofolit të njërit prej të arrestuarve

Te arrestuar

Astrit Lamçe, 45 vjeç
Genci Lamçe, 38 vjeç

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›