E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarja e Kërrabës, si u zhdukën nga tunelet 340 kg flori

Historia e bujshme, e cila u kushtoi burg pesë personave si autorë të vjedhjes. Në dosjen “Thesari” u përfshinë edhe disa ushtarakë, pasi shkelën rregulloren

Tiranë - Pas zbulimit të 200 kilogramëve flori në banesën e dy shtetasve në Tiranë, ku u gjetën edhe disa shufra ari që u përkisnin viteve të shkuara, gazeta “Albania” po sjell në vëmendjen e lexuesit historinë e bujshme të 10 viteve më parë për zhdukjen e një sasie të konsiderueshme floriri nga thesari i Kërrabës.
Ngjarja
Në shtator të vitit 1998, në Kërrabë, pak kilometra larg Tiranës, u zbulua zhdukja e 340 kg flori, në monedha dhe sende te çmuara, të ruajtura në tunelet e brendshme. Vjedhja u mësua disa kohë pasi ishte kryer. Floriri i mbetur u transportua në drejtim të Tiranës. Madje pas kësaj ngjarjeje policia ndaloi pesë persona, banorë të Kërrabës, si të dyshuar për implikimin në grabitjen e arit, të cilët u dënuan pas një procesi të gjatë gjyqësor. Kohë më pas Prokuroria Ushtarake filloi hetimet për vjedhjen e bujshme të Thesarit të Shtetit, që ishte në një ndër vendet që konsideroheshin të “sigurisë së lartë”. Sipas hetimeve, grabitja e pazakontë e thesarit kishte ndodhur në mars të vitit 1997, gjatë trazirave të atij viti.
Dosja “Thesari”
Në dosjen “Thesari” u përfshinë edhe disa ushtarakë, pasi sipas rregullores së ruajtjes së Thesarit të Shtetit, një herë në tre muaj, nga specialistë të të tria dikastereve duhet të kontrollohej gjendja fizike e tij. Hetimi u realizua nga një grup pune nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Rendit dhe Ministria e Financave. Treshja kontrolluese, për disa vite nuk mundi të verifikonte gjendjen reale të sasisë së thesarit. Ndërkaq, pjesa e mbetur u vendos në ruajtjen e trupave speciale të Ministrisë së Rendit të asaj kohe. Dyshimet e hedhura se dyert hermetike të tunelit ku ndodhej Thesari mund të hapeshin vetëm nëpërmjet një kodi të veçantë, çuan edhe në hetimin e disa prej ushtarakeve, të cilët shërbenin për ruajtjen e tij. Pas alarmit të dhënë, Policia e Tiranës u detyrua atëherë të mohonte vjedhjen e një sasie marramendëse floriri nga tunelet e Kërrabës. Pas verifikimeve titullarët thanë se nuk ishte asgjë për t’u shqetësuar. Sipas versionit zyrtar, nga shirat e rrëmbyeshëm kishin rënë disa gurë nga kodra dhe kishin dëmtuar drynin e derës kryesore të tunelit. Por, siç rezultoi më vonë, guri i rënë te dera e tunelit nuk ishte gjë tjetër veçse mburoja e vjedhjes së arit të shtetit shqiptar. Pranimi disa muaj me pas i grabitjes krijoi një zhurmë mjaft të madhe në mjediset e politikës, krahët e së cilës akuzonin njëri-tjetrin. Zhdukja e thesarit të shtetit nga objekti i koduar “Lumi” mes tuneleve në Kërrabë u shqyrtua nga specialistët, pasi mendohej që pesë të akuzuarit për këtë çështje janë vetëm një pjesë e të implikuarve në zhdukjen e 340 kg flori. Ndërsa një tjetër objektiv i hetimit është destinacioni i 290 kilogramëve flori, që janë zhdukur pa gjurmë prej një dekade.

Vjedhja e thesarit, 21 vite burg të akuzuarve

Në shkurt të vitit 2001, pas një procesi gati njëvjeçar, Gjykata e Tiranës vendosi dënimin e pesë të pandehurve, Ahmet Hyka, Enver Hyka, Pëllumb Dalti, Arjan Bishqemi dhe Blerim Haka, me akuzën e “vjedhjes së thesarit të shtetit” në bashkëpunim. Gjyqtari i çështjes, Petrit Çomo, pasi shqyrtoi të gjitha provat në dosje si dhe kërkesat e bëra nga prokurori dhe mbrojtja, vendosi t’i deklaronte fajtorë të pandehurit, duke dënuar me 8 vite burg Ahmet Hykën, 6 vjet për Pëllumb Daltin, 3 vjet e gjysmë Enver Hykën, 20 muaj burg Arjan Bishqemin dhe 2 vjet për Blerim Hakën. Në leximin e vendimit, gjyqtari Çomo arsyetoi me radhë të gjitha akuzat e të pandehurve si dhe kërkesat e avokatëve për të ndryshuar kualifikimin e veprës dhe si përfundim la në fuqi akuzën e bërë nga organi i Prokurorisë, atë të “vjedhjes së thesarit të shtetit” në bashkëpunim dhe të “shpërdorimit të detyrës”.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›