E Diel, 1 Nëntor 2026

Supervjedhja u realizua nga një vrimë e hapur në tunel



Sipas vendimit të gjykatës të datës 07.02.2001, vjedhja ishte bërë nga një vrimë e hapur në pjesën e sipërme të tunelit, ku ishte dhoma e fshehtë, në fshatin Kërrabë e Vogël. Pas kontrolleve të para në tunelet ku ruhej ari nga ana e policisë, u bë edhe një kontroll i imtë në familjet e fshatarëve të Kërrabës. Në disa familje u gjetën sasi të vogla të thesarit. Ahmet Hyka, i cili ishte nga Kërraba e Vogël, u akuzua se kishte vjedhur më 13 mars katër qese me ar. Sipas vendimit, ato kanë qenë lira turke, 1000 copë monedha ari. Kjo vlerë, sipas vendimit, i përket Bankës së Shqipërisë, edhe pse gjatë shqyrtimit gjyqësor drejtori i Bankës nuk e pranoi një gjë të tillë. Enver e Ahmet Hyka dhe Pëllumb Dalti kanë pranuar vjedhjen e thesarit. U tha gjithashtu se një pjesë të madhe të thesarit, të pandehurit e kanë shitur dhe nga shitja kanë blerë sipërfaqe të mëdha toke. Në dyshemenë e dhomës së gjumit të Ahmet Hykës janë gjetur para, të cilat janë përfituar nga shitja e monedhave të arit. Dy vëllezërit, sipas gjykatës, ishin futur në tunel dy herë. Hera e parë në mars dhe e dyta më 14 prill të 1997-s. Në këtë periudhë, duke iu referuar vendimit të gjykatës, ata kishin përfituar nga ikja nga vendi i shërbimit i Blerim Hakës për të marrë një pjesë fare të vogël të arit që u zhduk nga tunelet e Kërrabës.

Ku ishte ruajtur thesari

Thesari i shtetit që në kohën e komunizmit ruhej nëpër tunele. Megjithatë, sipas të dhënave të konfirmuara, sasia e floririt ishte vendosur në tunelet e Kërrabës rreth viteve ‘80, pra 20 vjet para se të grabitej. Më parë, thesari i shtetit shqiptar ruhej në malet e Skraparit, në masa të rrepta sigurie. Mendohet se edhe gjatë kohës së komunizmit, ish-nomenklatura e kohës kishte tërhequr sasi të vogla floriri për shpenzime të ndryshme, por të gjitha figurojnë të dokumentuara dhe të firmosura nga njerëz përgjegjës që kanë bërë tërheqjet.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›