E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshojnë kriteret për specializimin e studentëve të mjekësisë



Emanuela Sako

Kriteret për studentët e Fakultetit të Mjekësisë që duan të kryejnë specializimet pritet të ndryshojnë së shpejti. Zëvendësdekania e Fakultetit të Mjekësisë, Anyla Bulo, sqaroi për gazetën “Albania” se tashmë po diskutohet për kriteret e reja që do të përcaktojnë rregullat që do të kryejnë studentët, si dhe kuotat e pranimit. Një ndër elementët më të rëndësishëm që do të rishihet është mesatarja e pranimit për specialistët e rinj. Edhe vitin e kaluar mesatarja ishte një ndër kriteret që u diskutua për ndryshim dhe u vendos të ishte mbi 8.5 për të gjithë aplikantët. Por, studentët që duan të kryejnë specializimin në një fushë të caktuar të shëndetësisë, janë të interesuar që një ndër kriteret e reja të jetë mesatarja më e ulët se 8.5. Kjo vjen për shkak të krijimit të një mundësie më të madhe që do t’iu jepet për të hyrë në garë me aplikantët e tjerë në konkurrimin që do të bëhet për t’u pranuar në specializimin 3 apo 4 vjeçar. Prioritet kanë studentët që kanë mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në një nga universitetet e huaja.
Fakulteti
Për të përcaktuar kriteret e reja për specializantët do të vendosë Fakulteti i Mjekësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Këta të fundit do të përcaktojnë kuotat në bazë të kërkesës për mjekë specialistë në fusha të caktuara. Kështu, duke studiuar mungesat për specialistë në spitalet e kryeqytetit dhe atyre të rretheve do të hartohet një listë me numrin e specializimeve dhe vendet që kërkohen. Ndërsa aplikantët janë të lirë të konkurrojnë në një nga profilet e preferuara. Zëvendësdekania Bulo, sqaroi se nuk është përcaktuar ende një afat përfundimtar për përcaktimin e kuotave dhe kritereve të reja për këtë vit. Ndërsa nga Drejtoria e QSUT-së bëhet e ditur se dorëzimi i dokumentacionit për specializantët e rinj ka filluar.
Propozimi
Një arsye më tepër që këtë vit do të ndryshojnë kriteret e reja, janë dhe masat shtrënguese për mjekët specialistë të rinj që pritet të merren nga Ministria e Shëndetësisë. Dy ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, i propozoi kryeministrit të vendit disa masa për specialistët e shëndetësisë. Sipas, ministres Godo, mjekët specialistë duhet të jenë të detyruar me ligj që të punojnë në një nga spitalet rajonale ku ka mungesë të theksuar të mjekëve specialistë. Përveç masave shtrënguese, ata duhet të marrin një pagë e gjysmë apo dy paga shtesë për shërbimin që do të bëjnë në një nga spitalet e rretheve. Në këtë mënyrë studentët që do të kryejnë specializimet do të jenë të parët që do t’i ndjekin këto rregulla, nëse Ministria e Shëndetësisë do të hartojë një raport të plotë, i cili do t’i shkojë në dorë qeverisë.

Pezullohet puna në disa Pavijone, shkak Laboratori Biokimik-Klinik

Mungesa e kryerjes së një sërë analizash dhe shërbimesh në laboratorin më të madh të QSUT-së, bën që një pjesë e spitaleve të mos iu shërbejnë në kohë pacientëve. Laboratori Biokimik-Klinik, që prej një viti vuan nga mungesa të shumta në lëndë, aparatura apo mjete të ndryshme, por situata ende është e pandryshuar. Burime nga ky laborator bëjnë të ditur se mungesat janë të vazhdueshme dhe akoma nuk kryhen një numër i madh analizash. Pacientët janë të detyruar të shkojnë në ndonjë klinikë private për të kryer analizat që iu këshillojnë mjekët dhe më pas të kthehen përsëri në QSUT për t’i treguar mjekëve analizat e kryera jashtë QSUT-së. Në bazë të rezultateve që vijnë nga klinikat private, mjekët e QSUT-së përcaktojnë sëmundjen apo shkaktarët e sëmundjes tek pacientët. Funksionimi i laboratorit do të kërkonte një ivestim serioz për të bërë furnizmin për të gjitha materialet e konsumit të përditshëm apo lëndë të ndryshme mjekësore që mungojnë prej kohësh në këtë laborator. Kjo vihet re edhe nëpër spitale, ku vetë mjekët pohojnë situatën e vështirë që është krijuar dhe nuk dinë ende të japin ndonjë afat për ndryshimin e situatës. Të gjithë pohojnë se ende nuk dinë të shprehin, pasi ende nuk janë kryer tenderat. Pak ditë më parë Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, sqaroi se tenderat mund të përfundojnë nga fundi i muajit tetor, por ekziston mundësia e shtyrjes së afateve. Kjo vjen për shkak se procedurat për prokurimet duhet të ishin kryer që në muajin mars. Ndërsa, drejtuesit e mëparshëm i lanë të gjitha procedurat zvarrë, duke krijuar një situatë të rënduar në të gjithë spitalet e vendit.

Urdhri i Mjekut: “Në spitalet e rretheve ka mungesë të mjekëve”
Spitalet rajonale të rretheve kanë mungesë të theksuar të mjekëve specialistë. Presidenti i Urdhrit të Mjekut për Shqipërinë, Din Abazaj, sqaroi se spitalet e rretheve janë në gjendje tepër të vështirë, përsa i përket shërbimit shëndetësor. Spitalet në zonat e veriut prej vitesh vuajnë nga mungesa e mjekëve, jo vetëm atyre specialistë, por dhe nga mungesa e mjekët të familjes. Din Abazaj shprehet se janë evidentuar shumë raste në rrethet e veriut madje dhe në jug të vendit, ku mungojnë mjekët kryesor si ata reanimator e deri tek mjekët e urgjencave, apo të familjes. “Në shumë zona të vendit tonë, në perfieri shërbimet mjekësore janë boshatisur nga mjekët. Jo vetëm nga specialistet, por janë boshatisur nga mjekët e familjes, mjekët e përgjithshëm etj.”- u shpreh Abazaj. Në bazë të inspektimeve që ka kryer Urdhri i Mjekut në disa zona të vendit, ato më problematiket kanë qenë Tropoja, Kukësi, Peshkopia, Puka. Ndërsa në jug të vendit mund të përmendet spitali i Skraparit, i cili ka mungesë të theksuar të mjekëve.

MSH, qendër trajnimi për profesionalizmin e mjekëve dhe infermierëve

Mjekët dhe infermierët do të trajnohen në mënyrë të vazhdueshme për problematikën që shfaqet gjatë punës së përditshme nëpër spitale. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Kooperacionin Zviceran, synojnë që brenda këtij viti të ngrenë një qendër trajnimi për mjekët dhe infermierët. Sipas parashikimeve paraprake, fillimisht kjo qendër do ta ushtrojë aktivitetin në Tiranë, ndërsa në faza të mëvonëshme qendra të tilla do të ngrihen në të gjitha qarqet e vendit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë formimi i vazhduar nëpërmjet Qendrës së Formimit të Vazhduar, do të evidentojë nevojat për trajnim të kategorive të ndryshme të personelit shëndetësor, si dhe do të ndihmojë në planifikimin e aktiviteteve dhe programet e edukimit të vazhduar në nivel kombëtar. Vitin e kaluar numrin më të madh të kualifikimeve e zunë mjekët specialistë, kryesisht për imazherinë dhe rifreskim të njohurive mjekësore. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, krahasuar më vitin 2006 ka një rritje të numrit të kualifikimit të mjekëve si jashtë vendit, ashtu dhe në spitalet universitare të Tiranës, ku janë specializuar rreth 260 të tjerë. Ndërsa për sektorin e infermieristikës, po përgatiten politika të reja për të përmirësuar standardet dhe cilësinë e kujdesjeve infermierore, të cilat çojnë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në të gjitha shërbimet spitalore dhe shërbimet e Kujdesit Parësor në qendër e në rrethe.

24 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›