E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 40 kg marijuanë në kufirin helen

Autori i Lajmit: red.
Sekuestrohen 40 kilogramë marijuanë në kufirin shqiptaro-grek. Sasia e lëndës narkotike është sekuestruar nga uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë të ditur se sasia prej 40 kilogramësh marijuanë është gjetur në vendin e quajtur "Gryka e Bogazit" në afërsi të piramidës 24, në dalje të fshatit Peshkëpi e Sipërme Gjirokastër, pasi është braktisur nga 3 persona, ende të paidentifikuar nga policia. Rreth orës 03.30 të mëngjesit të djeshëm, njësiti i policisë kufitare të Kakavijës, në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, gjatë kryerjes së shërbimit, ka konstatur në thellësi kufirit tre shtetas, të cilët tentonin për të kaluar kufirin. Njësiti është afruar me shpejtësi dhe u ka bërë thirrje për të ndaluar, por ata menjëherë kanë hedhur çantat në tokë dhe, duke shfrytëzuar errësirën e natës, vendin e veshur me bimësi, si dhe mjegullën e dendur, kanë mundur të largohen me shpejtësi në thellësi të tokës shqiptare. Pas këqyrjes së çantave, ka rezultuar se brenda tyre ndodheshin 32 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të llojit marijuanë, të cilat varionin nga 1 kilogram e 100 gramë deri në 1 kilogram e 200 gramë secila, gjithsej rreth 40 kilogramë. Ndërkaq, specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim edhe me Sektorin Operacional në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, po punojnë për identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara ligjit.
Ky lajm është publikuar: 10/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›