E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 93 kg marijuana, dy në pranga

Porosia

GJIROKASTËR- "Porosia" zbardh një rast trafiku të lëndëve narkotike, ndërsa sekuestron 93 kilogramë marijuanë dhe vë në pranga 2 transportues. Operacioni u finalizua pas një sërë informacionesh në rrugë operative, ndërsa automjetet e policisë dhe trafikantëve janë përplasur gjatë aksionit, fatmirësisht pa lënduar askënd.


Operacioni policor i koduar "Porosia" ka startuar mbrëmjen e së dielës në aksin kombëtar Gjirokastër- Sarandë, mbi fshatin Jorgucat. Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, për trafikimin e një sasie lëndë narkotike nga Lazarati drejt Sarandës, janë ngritur postblloqet policore.


Ka qenë ora 18:00 kur automjetet që transportonin drogën i janë afruar postbllokut dhe më pas janë përpjekur të largohen me shpejtësi, duke aksidentuar edhe automjetet. Kanë qenë dy automjete, përkatësisht tip "Mercedes Benz" dhe "Reno" që drejtoheshin nga dy të rinj ata që transportonin sasinë e drogës. Automjeti i parë tip "Benz" me targa greke IEN 5766, me drejtues shtetasin Mikel Aliko, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, porsa ka parë policinë ka tentuar të largohet me shpejtësi, por s'ka mundur, pasi është përplasur me makinën e policisë, e cila kishte bllokuar rrugën. Drejtuesi e ka braktisur atë dhe është larguar me vrap dhe pas disa minutash është kapur nga agjentët e policisë.


Ndërsa automjeti i dytë me targa GJ 1222 B, me drejtues shtetasin Donald Aliko, 20 vjeç, po nga Lazarati, i cili lëvizte pas të parit, ka tentuar të kthehet mbrapsht, por është përplasur me makinën tjetër të policisë, e cila ishte vënë në ndjekje të tyre. Drejtuesi është izoluar nga shërbimet e policisë dhe është arrestuar në flagrancë.


Pas bllokimit të automjeteve është bërë edhe evidentimi i sasisë së lëndës narkotike e llojit marijuanë, e ndarë në pako 1-kilogramëshe secila, të mbështjella me letër natriban. Në automjetin tip "Reno" u konstatuan 2 çanta të mëdha shpine, njëra në bagazh dhe tjetra në sediljen e pasme, ku pesha e tyre rezultoi gjithsej 53 kilogramë.


Në automjetin tip Benz, në bagazh janë konstatuar 40 pako të mbështjella me letër natriban me peshë gjithsej 40 kilogramë, si dhe 2 çanta të mëdha shpine, ngjyrë e zezë, bosh që shërbenin për të futur lëndën narkotike që ishte në bagazhin e benzit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›