OSSH, faturim aforfe, qytetarët nuk lajmërohen
ELBASAN/ Drejtuesit: Matësat ishin të amortizuar. I kemi ndërruar, por faturimi i fundit është aforfe
ELBASAN - Me dhjetëra ankesa kanë mbërritur në degën e shitjes së OSSH-së në Elbasan pas mbërritjes së faturës aforfe për muajin tetor. Banorët të revoltuar janë përballur në fundjavë me faturimin aforfe kur të gjithë në muajin tetor kanë qenë me matës.
Të shqetësuar për këtë faturë, qytetarët i janë drejtuar një ditë më parë me ankesë OSSH-së dhe kanë kërkuar shpjegim për këtë faturim. Ka qenë kryesisht një bllok pallatesh që janë përballur me këtë faturim të padrejtë. 11 prej tyre kanë firmosur një ankesë të përbashkët drejtuar Degës së Shitjes.
Banorët akuzojnë faturisten e zonës që ka aplikuar këto fatura sipas dëshirës së saj, pa e justifikuar me asnjë fakt këtë faturim. Madje qytetarët thonë se deri një javë më pare, kur i është ndërruar matësi i vjetër me atë të ri, ata kanë qenë me matës dhe nuk kanë sesi të paguajnë aforfe. Ata thonë gjithashtu se nuk ka asnjë justifikim që qëndron, pasi zonat e penalizuara nuk kanë qëndruar as 24 orë pa matës.
Ndër firmëtarët e ankesës së përbashkët, por edhe me dhjetëra ankues të tjerë, kanë deklaruar se janë pagues të rregullt të faturave dhe në këtë rast po penalizohen ata që paguajnë, dhe jo ata që kanë abuzuar, nëse është e vërtetë një gjë e tillë.
Nos Sinani, një ndër personat më të rregullt në pagesat e energjisë elektrike që ka ende edhe librezat e viteve '90 në duar, thotë se në asnjë moment nuk është njoftuar se ka faturim aforfe, nuk ka marrë asnjë njoftim nga faturistja për probleme me sahatin dhe nuk di ta shpjegojë këtë faturim kur ai jeton i vetëm me bashkëshorten dhe kursen në maksimum energjinë, pasi nuk ka mundësi të paguajë më tepër. Sinani banon në pallatin 580/5 ku janë edhe 6 familje të tjera që janë penalizuar nga faturimi aforfe.
Ndërkohë në këtë pallat ka ende matës të vjetër të pandërruar kur justifikimi i OSSH ka lidhje pikërisht me amortizimin e matësve.
Spiro Basha është pensionist. Jeton vetëm me bashkëshorten dhe kanë marrë faturim aforfe 54 mijë lekë të vjetra. I shqetësuar pasi gjysmën e pensionit do të duhet ta lërë për energjinë, ai deklaron se faturimin aforfe nuk do ta paguajë, pasi e ka të pamundur. Sipas tij, përgjegjësi duhet të mbajë faturistja ose çdokush tjetër që e ka bërë këtë gjë në kurriz të qytetarit që paguan dhe që është i rregullt.
Shembulli tipik i qytetarit që paguan gjithmonë dhe që është mjaft korrekt është Ali Jaho me banim në pallatin 580/1 afër Institutit. Ai thotë se kur i ka mbërritur fatura, është habitur. "Jam vetë i dytë në shtëpi.
Mund të vini të kontrolloni pajisjet e mia. Jemi pensionistë dhe gjithmonë paguajmë rregullisht faturat. Jemi në rregull me shtetin. Pse duhet të paguajmë aforfe kur ne nuk kemi harxhuar 500 kilovatë. Si ka mundësi që ndodh kjo?
Duam të drejtën tonë pasi këtë faturë nuk do ta paguajmë aforfe. Madje do t'i drejtohemi prefektit, madje edhe drejtësisë. Nuk ndodh në asnjë vend të botës të penalizohen njerëzit që paguajnë dhe që janë të rregullt. Vetëm këtu tek ne ndodh, në Shqipëri".
Të penalizuar nga faturimet aforfe janë pallatet 580/1, 2, 5 por edhe zona të tjera. Ka edhe fatura aforfe në shtëpi ku nuk banon njeri.
Po kështu nga burime pranë OSSH-së mësohet se mund të jenë të paktën 500 faturime aforfe për muajin tetor. Qytetarët janë të skandalizuar nga ky faturim. Ata janë duke pritur një përgjigje, pasi kanë depozituar një ankesë me shkrim. Në të kundërt, ankesën e tyre do ta depozitojnë në Prefekturë dhe më pas do t'i drejtohen gjykatës për një padi qytetare.
Ata kanë renditur disa akuza, ndër të cilat akuzojnë OSSH-në për mungesë transparence dhe njoftimi për çdo veprim në dëm të klientit, për shkelje kontrate, për abuzim me qytetarët dhe për dëm moral dhe ekonomik.
Padia do të depozitohet në ditët në vazhdim nëse OSSH-ja nuk i jep një zgjidhje problemit të faturimit të padrejtë aforfe kur të gjitha këto familje kanë disponuar sahat matës me bokse qendrore.
Qytetarët thonë se kjo po bëhet që OSSH Elbasan të mbushë arkën, por arkën nuk mund ta mbushë me personat që paguajnë rregullisht dhe madje që paguajnë energjinë edhe për të tjerë, që nuk kanë shlyer asnjë faturë. Ndër banorët që kanë nënshkruar ankesat janë Bashkim Xhasana, Razira Sulkuqi, Mehmet Ibërshimi, Panajot Kattani, Hajdar Hasa, Kristaq Panxhi etj.
OSSH e quan dëm ndaj saj për matës të amortizuar
Drejtues të degës së shitjes kanë deklaruar se nga një verifikim që është bërë, matësit kanë rezultuar me probleme dhe të amortizuar. Për këtë ata kanë vendosur që të ndryshojnë matësit, por muajin e fundit ta vendosin aforfe për shkak të dëmit të shkaktuar ndaj kompanisë.
Siç e shpjegon drejtuesi i degës, në momentin që matësit janë me probleme, atëherë duhet të faturohej të paktën një vit, por sipas tij kjo do të bëhet për një muaj. Gjithsesi, ai pranoi që nuk janë njoftuar klientët dhe që nuk është bërë asnjë transparencë për këtë vendim. Ndërkohë, specialistë të tjerë dhe vetë faturistja e zonës tha se janë vendosur aforfe për matës që janë gjetur me 50 kv të harxhuara.
Por vetë faturistja në momentin që ka konstatuar 50 kv nuk lajmëroi në asnjë moment asnjë klient për këtë fakt. Askush nga klientët e penalizuar nuk e ka parë matësin me sasinë 50kv të harxhuar. Në përfundim, banorët kanë depozituar ankesën e tyre me shkrim dhe me firma dhe janë në pritje të një përgjigje shumë objektive nga OSSH-së.