Shitën një vajzë në Kosovë, 30 vjet burg dy tropojanëve
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pas 47 seancave gjyqësore, vendosi t'i dënojë dy tropojanët Isat Metaliaj dhe Tahir Syleci me nga 15 vjet burg secilin, pasi në mars të 2006-s shitën për 3 000 euro një 24-vjeçare në Kosovë.
Sipas vendimit të pesëshes gjykuese, dy të pandehurit kanë konsumuar veprën penale të "trafikimit të femrave për prostitucion" në bashkëpunim, pasi është provuar se 24-vjeçaren e divorcuar nga burri ia kanë shitur një plaku 75-vjeçar për nuse në qytetin e Ferizajt. Ndërkohë, avokatët mbrojtës kërkuan nga gjykata pafajësi për klientët e tyre, që gjykohen në gjendje të lirë për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit.
Ndërsa prokurori i çështjes, në leximin e konkluzioneve përfundimtare, kërkoi nga gjykata që i pandehuri Metaliaj të dënohet me 16 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë, ndërsa Syleci me 15 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë.
Sipas vendimit, dy të pandehurit nën kërcënimin e armës dhe dhunës e kanë trafikuar 24- vjeçaren nga Tirana në Tropojë dhe më pas e kanë dërguar në Kosovë, në Ferizaj, ku e kanë shitur për 3 mijë euro.
Mësohet se i pandehuri Metaliaj, pasi kanë rënë në kontakte me kosovarin 75-vjeçar që kërkonte nuse, i ka premtuar atij se do t'ia gjente në Shqipëri. Në mars të vitit 2006 ai i ka dorëzuar vajzën duke ia shitur për 3 mijë euro.
Pas disa muajsh qëndrimi në shtëpinë e dhëndrit plak, vajza ka mundur t'i shpëtojë "kthetrave" të tij, duke u rikthyer pranë familjes në Shqipëri ku dhe ka bërë denoncimin ndaj dy "tutorëve" tropojanë që menjëherë janë arrestuar.