E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku i spitalit të burgut shpallet i pafajshëm

VENDIMI/ Prokurori kishte kërkuar dënimin me 3,5 vjet burg e 1,5 milionë lekë gjobë për Ardian Nelajt


TIRANË- Shpallet i pafajshëm ish-mjeku i spitalit të burgut, kirurgu Ardian Nelaj, i cili ishte akuzuar për "korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike".


Vendimi u mor nga gjyqtari Gerd Hoxha, i cili në vendimin e tij, të lexuar pasditen e së hënës, u shpreh organi i akuzës, nuk ka arritur të provojë se kirurgu kishte kërkuar para nga familjarët e dy të dënuarve për shërbimin e ofruar ndaj të afërmve të tyre që ndodheshin të shtruar në Qendrën Spitalore të Burgut.


"Në të dy rastet e sjella nga prokuroria, gjatë fazës së gjykimit nuk u provua se mjeku Nelaj ia kishte kërkuar lekët të afërmeve të të dënuarve që ndodheshin të shtruar në Qendrën Spitalore të Burgut.


Familjarët në të dy rastet kanë pohuar se kirurgu nuk iu kishte kërkuar lekë, por ata ia kishin dhënë me dëshirën e tyre", - thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit nga gjyqtari Hoxha. Edhe vetë kirurgu Nelaj ka pretenduar se "në asnjë mënyrë nuk kishte kërkuar para nga familjarët.


Ata kishin shprehur vetë dëshirën për t'ia dhënë, për shërbimin që i kishte bërë të afërmit të tyre, duke e operuar për apendicit", - thuhet në vendim. Gjithashtu, edhe mbrojtësi ligjor i të pandehurit Nelaj në fazën e parashtrimit të pretendimeve përfundimtare ka kërkuar pafajësi, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si vetë kirurgu.


Ndërkohë, përfaqësuesi i akuzës, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, kishte kërkuar deklarimin fajtor, si dhe dënimin me 3,5 vjet burg dhe 1,5 milionë lekë gjobë. Përveç këtij dënimi, prokurori kërkoi edhe pezullimin e ushtrimit të detyrës për tre vitet e ardhshme.


Nga ana e prokurorit u pretendua se ishte provuar që Nelaj ka pranuar ryshfet në dy raste për punën e tij publike brenda ambienteve të Spitalit të Burgut. Kirurgu u arrestua në tetor të vitit të kaluar, ku i janë sekuestruar në xhep 545 mijë lekë, 760 euro dhe 100 dollarë amerikanë.


Tre ditë pas arrestimit, në seancën e verifikimit dhe komunikimit të masës së marrë në mungesë me "arrest me burg", gjyqtari i masave e ndryshoi këtë masë duke e lënë në "arrest shtëpie". Por, këtë vendim e prishi Gjykata e Apelit, e cila e la të lirë me masën e sigurisë "detyrim për paraqitje". F.Vezaj

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›