Berat, arrestohen trafikantët e veprave të artit
OPERACIONI/ Mirel Starova, djali i ish-përgjegjësit të muzeut të Beratit është një nga të pandehurit
BERAT - Vihen në pranga Mirel Starova dhe Bujar Dine, nën akuzën e trafikimit të veprave të artit dhe kulturës, teksa po hetohet në gjendje të lirë Sami Starova, ish-përgjegjës i Muzeut Kombëtar të Beratit.
Ky i fundit është edhe babai i njërit prej të arrestuarve, çka ka çuar në dyshimet se është edhe personi që ka furnizuar me vepra arti dy të pandehurit. Burimet zyrtare të policies, bënë të ditur se dyshohet që veprat trafikoheshin për në Turqi, për faktin se Bujar Dine, banor i Fierit, jetonte edhe në Stamboll, pasi kishte nënshtetësi shqiptare dhe turke.
Mirel Starova dhe Bujar Dine janë arrestuar nga policia, teksa kishin në zotërim vepra arti e kulture. Ata akuzohen për trafikim të veprave të artit dhe kulturës. Mësohet se në veprimtarinë e dy të parëve ka pasur dijeni edhe babai i Mirelit, Sami Starova, i cili sipas informacionit zyrtar të policisë po ndiqet në gjendje të lirë.
Ky i fundit ka qenë përgjegjës i Muzeut Kombëtar të Beratit. Sipas policisë, fieraku Dine është banor i Stambollit dhe përveç nënshtetësisë shqiptare, ka edhe nënshtetësinë turke. Veprimtaria e tyre ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm të strukturave të Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, në bashkëpunim me strukturat simotra të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier.
Ky bashkëpunim ka mundësuar kapjen dhe arrestimin në flagrancë të dy shtetasve në fjalë në aksin rrugor Fier - Lushnjë. Sipas variantit zyrtar të policisë, Starovës dhe Dines iu është bërë një kontroll në automjetin tip "Benz", me targa BR 2373 B, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, monedha e statuja qeramike të destinuara për t'u shitur jashtë shtetit e kryesisht në Turqi.
Aktiviteti i tyre është zbardhur më shumë kur ka përfunduar kontrolli në dyqanet e këtyre shtetasve, ku janë gjetur dhe sekuestruar panorama, piktura, ikona të ndryshme antike, statuja të gdhendura në gur, për të cilat dyshohet që të jenë me vlera trashëgimie kulturore.
Tashmë pas zbulimit dhe arrestimit, të dy këta shtetas ndodhen në proces penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat dhe do të përballen me akuzën "trafikim i veprave të artit dhe të kulturës në bashkëpunim".
Ndërsa dy të parët do të jenë në burg, Sami Starova, që është dhe babai i Mirelit do të ndiqet në gjendje të lirë. Ndërkohë vijojnë hetimet për gjetjen e bashkautorëve të mundshëm.