E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset Alket Rizai, e tradhtoi celulari

GREQI/ 34-vjeçari u largua dy herë nga burgu me helikopter, në bashkëpunim me Vasil Paleokostën


Alket Rizai është vënë për të tretën herë në pranga, ndërsa u kap në një fshat që ndodhej në verilindje të Athinës.


Shqiptari i arratisur dy herë nga burgu me helikopter u arrestua pas një operacioni të realizuar nga forcat e sigurisë dhe forcat speciale të Greqisë. Celulari mësohet të ketë qenë "tradhtari" i 34-vjeçarit, vala e të cilit i ka çuar policët drejt e në shtëpi.


Burimet zyrtare të policisë greke u shprehën se në momentin që Rizai e pa veten të rrethuar u dorëzua paqësisht, pa bërë asnjë kundërshtim. Mësohet se në kohën që banesa e tij është rrethuar, ai ka qenë duke fjetur çka ka çuar edhe në mosreagimin e 34-vjeçarit.


Drejtori grek i sektorit të krimeve, Jani Dikopulo, u shpreh se në banesën e Rizait u sekuestruan dy automatikë, dy mitralozë, një sasi e madhe municionesh, si dhe disa granata dore.


Arrestimi


Gjithçka ka ndodhur mëngjesin e së hënës. Në orën 7:10 Alket Rizai, i cili banonte në një fshat rreth 40 km në verilindje të Athinës, është vënë në pranga dhe bashkë me të, edhe tre persona të tjerë. Një prej tyre ishte shoqja e 34-vjeçarit shqiptar, ndërsa çifti tjetër dyshohet se është bashkëpunëtor, ndërsa po shihet nëse edhe ata rezultojnë me precedentë penalë.


I arratisuri i fshehur ishte lokalizuar nga forcat e sigurisë pak ditë më parë dhe ishte mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm. Policia ushtroi kontroll në banesë për të mbledhur edhe gjurmë dhe fakte, ndërkohë që katër të arrestuarit u çuan në qendrat e policisë pak më pas.


Hetimi


"Fakti që Alket Rizai ndërronte shpesh shtëpi dhe përdorte makina të ndryshme e ka bërë edhe më të vështirë kapjen e tij",- u shpreh drejtori Dikopulo. Pas arrestimit të 34-vjeçarit ai deklaroi se po hetohej lidhur me mundësinë që i arratisuri të ishte përfshirë në krime të tjera në kohën që nuk i ishte dorëzuar drejtësisë.


Ndërkohë, burime të tjera konfirmuan se arrestimi i Alket Rizait u bë i mundur falë përgjimit të celularit të tij, çka i çoi më tej hetuesit edhe në shtëpinë ku ata ndodheshin (falë valës celulare).


Arratisjet


Alket Rizai është një nga personat më të kërkuar në Greqi. Më 23 shkurt të këtij viti ai u arratis për të dytën herë nga burgu me të njëjtën skemë të përdorur edhe në vitin 2006. Një helicopter mbi oborrin e burgut të Koridalosit, një litar i hedhur dhe më pas Rizai bashkë me shokun e tij Vasil Paleokosta u zhdukën.


Arratisja e parë e stilit hollivudian, e kryer në 4 qershor të 2006-s ishin ideuar nga Niko, vëllai i Paleokostës, i cili gjithashtu i fshihej drejtësisë. Vasil Paleokosta u rikap në 2 gusht në Selanik, në veri të Greqisë dhe u cilësua nga policia si organizatori i rrëmbimit dy muaj më herët të presidentit të Federatës së Industrisë së Greqisë së Veriut dhe Industrisë së Aluminit, Xhorxh Melonait, i cili u lirua pasi familja e tij pagoi një shpërblesë të majme.


Rizai u arrestua tre muaj pas arratisjes në fshatin bregdetar të Prodomës, ndërsa Niko Paleokosta u arrestua disa javë më pas pranë Livadisë, zona të së njëjtës prefekturë, pasi ndodhej në kërkim nga policia.


Policia e Atikës, duke hetuar mbi çështjen, dyshon se organizatori i arratisjes së dytë ishte Rizai, ndërsa mbështetësi financiar ishte Vasil Paleokosta. Gjithashtu ata thonë se një rol të rëndësishëm ka luajtur një grua 35-vjeçare, e cila mori me qira helikopterin nga një kompani private.


Gruaja dhe bashkëpunëtori i saj mendohet se janë të dy me kombësi të huaj, ndërsa dyshohet se janë shqiptarë. 35-vjeçarja e cila shihet si një biznesmene ka kontaktuar dy herë me kompaninë e helikopterëve, duke e marrë dy herë me qira, në 13 dhe 15 shkurt. Me këtë helikopter ajo fluturoi edhe mbi burg.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›