Sulme me thika, plagoset një 15-vjeçar
Një tjetër i dëmtuar pas një sherri, përfundon në spital. Policia: ngjarjet për konflikte banale
ELBASAN - Dy ngjarje me protagonistë të ndryshëm kanë të përbashkët sulmin me thikë dhe akuzën tentativë vrasjeje. Një ditë më pare, një 15-vjeçar është sulmuar me thikë nga dy adoleshentë.
Ngjarja është regjistruar në lagjen "Kongresi i Elbasanit", ku dy vetë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur dy herë me thikë 15-vjeçarin me banim në lagjen "Luigj Gurakuqi", duke i shkaktuar dëmtime të rënda dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Adoleshenti është transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik dhe pas mjekimit dhe kujdesit mjekësor ka dalë nga gjendja shqetësuese dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka filluar hetimet dhe brenda një kohe të shkurtër është bërë i mundur identifikimi i dy autorëve të ngjarjes. Ata janë 16 dhe 14 vjeç me banim në lagjen "5 Maj".
Dy adoleshentët kanë mundur të fshihen dhe janë ende në kërkim nga policia. Akuza ndaj tyre është e rëndë "vrasje në bashkëpunim e mbetur në tentativë". E gjithë ngjarja ka ndodhur pas një sherri të mëparshëm midis tyre, dhe dy adoleshtët kishin vendosur të hakmerreshin. Gjithsesi, hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Seksioni kundër krimeve ndaj personit në drejtorinë e policisë së Elbasanit ka filluar procedimin penal në ngarkim të Ervin Zotkajt, 31 vjeç, me banim në Kuçovë, pasi në një lokal në fshatin Grekan, në bashkëpunim me një person tjetër, ende i paidentifikuar, kanë goditur me thikë Qatip Asllanin, 23 vjeç, si dhe Ermal Allkajn, 24 vjeç, me banim në Grekan.
Ngjarja ka ndodhur pas një sherri banal në lokal. Ndaj agresorëve është ngritur vepra penale e vrasjes në bashkëpunim e mbetur në tentativë. Aktualisht dy të dëmtuarit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. B.Nergjoni