Otranto II, 60 vjet burg pesë skafistëve
Gjykata e Leçes përfundon procesin maratonë me dënimin e skafistëve shqiptarë për mbytjen e 15 klandestinëve
LEÇE – Tragjedia e 4 majit 2000, e njohur si “Otrantoja e dytë” është mbyllur dje në Itali me 60 vjet burg për pesë skafistët e akuzuar. Gjykata e Leçes në Itali ka dënuar me nga 12.5 vite burg secilin prej pesë skafistëve që shkaktuan tragjedinë e rëndë ku humbën jetën 15 klandestinë dhe mbijetuan disatë tjerë nga përmbysja e një gomoneje në afërsi të brigjeve italiane. Pesë skafistët u gjykuan për një kohë të gjatënë Itali, nën akuzat e favorizimit të trafikut të paligjshëm dhe mbytjes së qëllimshme të gomones. Ngjarja e rëndë ndodhi natën e 4 majit të vitit 2000, kur gomonia e mbushur me klandestinë u përplas me një anije italiane të Guardia di Financas. Prej kohësh, të afërm dhe familjarë të viktimave kanë kërkuar zbardhjen e tragjedisë së rëndë, ndërkohë që procesi në Itali zgjati për vite me radhë.
Tragjedia detare me 15 viktima shqiptare ndodhi mesnatën e 4 majit të vitit 2000, kur 38 klandestinë shqiptarë ishin nisur me një gomone drejt brigjeve të Italisë. Ngjarja u cilësua tetë vite më parë si një Otranto e dytë, ndërsa vendimi për pesë skafistët e akuzuar u dha vetëm dje, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Leçe. Ilmi Nuhaj, Lorumer Kuçi, Erion Ruçi, Sokol Sinemati dhe Fatjon Feimi janë skafistët e dënuar dje për këtë tragjedi.Mbi ta rëndon akuza se kanë favorizuar hyrjen e paligjshme të 38 personave me skaf, për pakujdesi e përplasje me motovedetën e Guardia di Financës italiane. Ata u akuzuan edhe për moszbatim të lundrimit në det, pasi nuk kanë ndaluar kur u është bërë thirrje. Trupi gjykues i kryesuar nga Lizi Andrea dhe prokurori Valeria Minjone kërkuan në fillimet e këtij gjyqi që të pranishëm të ishin edhe të mbijetuarit si dhe familjarët e viktimave për të dëshmuar e dhënë prova për të provuar akuzën.
Të pandehurit
Të pandehurit, dy prej të cilëve janë me emra të vërtetë, kanë mohuar plotësisht akuzën e ngritur nga prokuroria e gjykata e Leçes dhe kanë mohuar se kanë qenë të pranishëm në gomonen ku ndodhi tragjedia. Në fjalën e tyre ata kishin kërkuar që për këtë incident të rëndë duhet të akuzohet pala italiane, pasi në asnjë rast skafistët shqiptarë nuk kanë rrezikuar bashkëkombësit e tyre dhe u duket e habitshme që në këtë gjykim mungon pala italiane, personeli i motovedetës që përplasi dhe skafin. Ata e kanë cilësuar një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut faktin që mbahen në qeli prej pesë vjetësh, ndërsa nuk kanë asnjë faj e përgjegjësi për tragjedinë e 4 majit 2000, ku humbën jetën 15 të rinj shkodranë.