Gjobitet, rreh policët rrugorë
Ndaj të riut 27-vjeçar, nga ana e prokurorit është ngritur akuza e “fyerjes dhe e goditjes për shkak të detyrës”
Korçë- Shkon të paguajë gjobën, dhe rreh punonjësit e qarkullimit rrugor në zyrën e tyre. Kështu ka ndodhur paraditen e së hënës në zyrat ku paguhen gjobat e vëna nga policia rrugore. Bledar Çollaku, 27 vjeç, u vu në pranga pas kësaj ngjarjeje, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e “fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës”.
Ngjarja
Rreth orës 10:30 të së hënës, Bledar Çollaku, banor i fshatit Mborje të Korçës, paraqitet në zyrat ku paguhen gjobat e vëna nga policia rrugore. Nuk dihet se me ç’mendim ka vajtur atje 27-vjeçari, por ai ka hyrë brenda dhe është ballafaquar me oficerin e policisë rrugore, si dhe me një tjetër punonjës. Marrja e një gjobe për parkim të gabuar të automjetit, duket se ka qenë e papranueshme për Çollakun, i cili ka dashur ta “zgjidhë” një çështje të tillë. Si rrjedhojë, pas mossqarimit me fjalë të vendosjes së gjobës nga ana e policisë rrugore, i riu nuk ka ngurruar të godasë të dy punonjësit e policisë që ishin në zyrë. Pas kësaj nga ana e uniformave blu është bërë thirrja e kolegëve të tyre të grupit të gatshëm, të cilët kanë mbërritur menjëherë për të vënë në pranga dhunuesin, ndaj të cilit është ngritur edhe akuza përkatëse.
Policia
Burimet zyrtare të policisë së Korçës bëjnë të ditur se zyrat ku paguhen gjobat e vendosura nga policia rrugore ndodhen tek ish-zyrat e vjetra, të cilat janë jashtë ambienteve të komisariatit, por edhe janë të hapura, çka i bën të pambrojtur punonjësit e policisë kundrejt nervozizmit të personave që nuk pajtohen me gjobën që u është vënë. Duket se një mungesë e tillë “mburoje” ka bërë që edhe për 27-vjeçarin Çollaku të jetë më e lehtë “hakmarrja” e tij ndaj personave që e gjobitën. Ndërkaq, emrat e dy policëve të rrahur nga 27-vjeçari nuk bëhen të ditur. Kohët e fundit, në rrethin e Korçës janë rritur masat e sigurisë nga ana e Policisë Rrugore, për shkak edhe të aksidenteve të shumta që ndodhin. Por, kjo rritje masash ka çuar edhe në shtimin e gjobave të vëna ndaj drejtuesve të automjeteve për shkaqe të ndryshme, çka ka bërë që të rriten në masë edhe personat që kundërshtojnë këtë “rritje sigurie”.