E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti i pronësisë, keqtrajton pronarin e gurores

ARRESTIMI/ Ritvan Matraku rrahu dhe kanosi për vdekje

Korçë- Keqtrajton pronarin e një guroreje, për të cilin pretendonte se i kishte zënë tokën e vet dhe përfundon në prangat e policisë. Ritvan Matraku, banor i fshatit Gjonomadh në Korçë, rrahu dhe kanosi për vdekje sipërmarrësin e një guroreje, ndërsa vetëm pas një ore e ka parë veten të arrestuar. Sipas burimeve zyrtare të policisë, 47-vjeçari Matraku ka nisur një konflikt me pronarine një firme nga Korça, i cili ka hapur një gurore fare pranë fshatit Gjonomadh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 të të hënës në fshatin e lartpërmendur. Matraku ka pretenduar se gurorja ishte ngritur mbi tokën e tij, për të cilën ka paraqitur dhe dokumente pronësie, ndërkohë që ka shkuar në ambientet e gurores për të biseduar me pronarin e saj. Ai mësohet t’i ketë kërkuar këtij të fundit të largojë aktivitetin, pasi nuk lejon t’i shfrytëzohet prona e vet, çka është kundërshtuar. Kaq është dashur dhe Ritvan Matraku ka shpërthyer në fyerje dhe kanosje, madje ka dhunuar dhe pronarin e gurores. Pas këtij acarimi, drejtuesit e firmës kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas gati 60 minutash, autori i saj është arrestuar nën akuzën e “kanosjes” dhe “tentativës për vrasje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›