E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja: Katër shkeljet e qeverisë

Zbardhet vendimi për ujërat me Greqinë: Duhej marrë plotfuqia nga Presidenti

Zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes së ujërave me Greqinë, përveç vendimit thelbësor ka nxjerrë një bazë të re juridike, e cila i jep një fuqi më të madhe juridike Presidentit të Republikës, që u zbeh disi nga ndryshimi që iu bë Kushtetutës në prillin e vitit 2008. Ndërkaq, institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit ka vendosur “pikat mbi i” mbi mënyrën se si tani e tutje duhet të hartohen marrëveshjet ndërshtetërore nga ana e qeverisë, kur bëhet fjalë për pjesë të territorit të Republikës që janë pjesë e sovranitetit kombëtar. Thelbësisht janë katër çështje që përbëjnë shkelje të ligjit themeltar të shtetit, ndërkohë që janë shkelur katër nene të Kushtetutës së Republikës. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese theksohet qartësisht se “marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën sa u takon çështjeve lidhur me: a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare. Marrëveshja e ujërave me Greqinë është deklaruar e papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës.

Presidenti

Një nga pjesët më të rëndësishme të vendimit të plotë të Gjykatës është pjesa ku ridimensionohet fuqishëm roli i Presidentit të Republikës, i cili duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje, ku si palë është shteti shqiptar. Në fakt, Presidenti i Republikës jo vetëm që nuk është pyetur për këtë marrëveshje, por as nuk ka pasur komunikim paraprak. Por sipas Kushtetueses,
“kryetari i shtetit ka kompetencë që të ushtrojë ius repraesentationis omni modae, pra të bëjë të njohur ndërkombëtarisht vullnetin e brendshëm shtetëror dhe të përfaqësojë unitetin e shtetit në skenën ndërkombëtare. Mënyrat se si Presidenti e ushtron këtë funksion mund të jenë: me pjesëmarrjen e vetë Presidentit në bërjen të njohur të qëndrimit politik të shtetit në marrëdhënie me jashtë, ose me anë të transferimit të autoritetit përfaqësues, nëpërmjet plotfuqisë, tek organet e tjera, kryesisht te qeveria”.

Marrëveshja

Pas një studimi tepër të hollësishëm të përgatitur nga relatori, anëtari i Kushtetueses, Xhezair Zaganjori, është bërë e qartë e gjithë baza ligjore vendase dhe ndërkombëtare, ku analizohet marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe greke. Gjykata rithekson se në këndvështrimin kushtetues konsiderohen si pjesë të mirëfillta të territorit shtetëror edhe ujërat e brendshme dhe deti territorial deri në 12 milje detare nga vija bazë, hapësira ajrore mbi to, si dhe shtrati i detit dhe nëntoka e tyre. Në këto hapësira zbatohet padyshim legjislacioni i brendshëm i shtetit bregdetar. Sipas gjykatës: “Duket qartë që sipas marrëveshjes objekt shqyrtimi, në rastin konkret, ka një disproporcion të theksuar në disfavor të palës shqiptare”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›