E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besim Brahimi: Luftëtari ka hedhur hapin e parë

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Drejtori sportiv i ekipit gjirokastrit flet për problematikën dhe për masat që do të merren për një përfaqësim sa më dinjitoz në Superligë

Ashtu si ajzbergu e ka pjesën e tij më të madhe të padukshme, nën ujë, edhe Luftëtari ka problematikën e tij. E padukshmja, që janë donatorët, dhe e dukshmja, që është stafi teknik, do të bashkëpunojmë për të formuar ekipin e sezonit të ri.

Pra, ata do të vendosin se cilët do të jenë futbollistët që do të veshin fanellën e Luftëtarit të ri. Duke u nisur nga aktivizimi në kampionatin e 65-të të kategorisë së parë, futbollistët që luajtën për të grupohen në gjirokastritë dhe në jabanxhinj.

Vendësit që luajtën titullarë janë Devolli, Nora dhe Sinani (edhe Shalari e Stoja të dëmtuar), Braho u  përdor në shumë ndeshje si zëvendësues, kurse Lluka, më i riu në moshë, pati ecuri gjatë fazës së dytë. Pjesa tjetër, ku bëjnë pjesë Bistri, Gaxhaj, Zholi, Brahimi, Gërxholli (portieri që u aktivizua vetëm 1 ndeshje) dhe Thiimjo Spiro, që nuk luajti fare, nuk pati aktivizim të gjerë.

Futbollistët e ardhur nga qytetet e tjera dhe që ishin thuajse të gjithë titullarë, janë Selimaj, Baci, Ramadani, Raboshta, Hithi, Çaço, Mersini, Strati dhe Nino. Këta futbollistë mund të dëshirojnë të qëndrojnë te Luftëtari ose ndonjëri mund ta kërkojë fatin në ndonjë ekip tjetër, por detyrimisht stafi teknik do të bëjë seleksionimin e tyre, sepse jo të gjithë nga të lartpërmendurit mund tu përgjigjen kërkesave të Superligës. Pra, problemi më delikat në Superligë janë blerjet, sasia dhe cilësia e tyre.

Brahimi Drejtori sportiv i Luftëtarit, Besim Brahimi, në lidhje me organizimin e ekipit, thotë: Mbyllëm një kampionat tepër të vështirë dhe interesant. Jemi të gëzuar që e raelizuam objektivin, pasi ekipe me emër nuk arritën në Superligë, megjithëse disa shpresojnë ende. Për ekipin tonë kjo u bë e mundur, falë kujdesit të bashkisë dhe kryebashkiakut Flamur Bime, i cili është njëkohësisht edhe presidenti i Luftëtarit.

Pati një organizim të mirë dhe bëmë merkato të mirë në fillim të çdo faze, aq sa ekipi mund të nxirrte dy formacione. U hodh hapi i parë, që është kthimi në Superligë, ndërsa tani është hapi i dytë, që është formimi i ekipit që do të luajë në të. Patjetër që duhen futbollistë cilësorë dhe, në radhë të parë, do të synojmë të marrim dy gjirokastritët Fejzo Shenaj dhe Ylli Shameti.

Por duhen edhe të tjerë, sipas kërkesave që do të bëjë stafi teknik, pas seleksionimit të përbërjes që kemi. Problemet janë të shumta, duke filluar me infrastrukturën dhe deri te formimi i ekipt për Superligën, por them se, përderisa i hymë kësaj rruge, do të angazhohemi për më të mirën. E them me bindje se Luftëtari do të bëjë vetëm përpara në vazhdim.

2 gjirokastritë

Janë objektivi parësor i merkatos së Luftëtarit. Drejtuesit e tij do të përpiqen të marrin mesfushorin Fejzo Shenaj nga Shkumbini dhe mbrojtësin Ylli Shameti nga Tomori

3 titullarë

ishin nga grupi futbollistëve vendës gjatë kampionatit të fundit dhe pikërisht Devolli, Nora dhe Sinani. Gjirokastritët e tjerë, Stoja dhe Shalari, kanë qenë të dëmtuar, Braho ka luajtur zëvendësues dhe Lluka gjatë fazës së dytë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›